Arrestime në Tiranë: Apartamenti kthyer në Call Centre për mashtrime

Apartamenti i kthyer në Call Centre, dy të arrestuar në Tiranë

Një tjetër rast mashtrimi ndërkombëtar, i kryer përmes bursave fiktive, u godit në Tiranë. Gjatë një operacioni policor të koduar “Fasada”, u zbulua një apartament i kthyer në call center. Si pasojë, janë arrestuar dy shtetas që administronin ambientin e përshtatur për call center, përmes të cilit mashtronin shtetas të huaj për t’i bërë të investojnë në bursa fiktive.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 12 shtetas, të cilët punonin si operatorë.

Policia sekuestroi 19 njësi kompjuterike, 2 aparate celulare dhe 1 DVR.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, bazuar në informacione të siguruara, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fasada”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një apartament në rrugën “Sulejman Delvina”, i cili ishte përshtatur si call center. Aty janë kapur në flagrancë shtetasit A. R. dhe L. M., si dhe 12 operatorë që mashtronin shtetas të huaj për investime në bursa fiktive.

Hetimet kanë zbuluar se apartamenti ishte marrë me qira nga shtetasi A. R., i cili, në bashkëpunim me shtetasin L. M., e administronte ambientin për zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, janë arrestuar shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç, administratorë të ambientit. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 12 operatorë, të cilët u kapën në flagrancë në apartament gjatë ndërhyrjes së Policisë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të paligjshme. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit thekson se mbetet e vendosur për të goditur çdo formë kriminaliteti, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, si dhe për të mbrojtur qytetarët, brenda dhe jashtë vendit.

Scroll to Top