Arrestime për shpërthim me tritol në Kamëz, motivi 500 mijë euro

Tritoli në Kamëz/ Në pranga edhe Jeton Lami, ish-polici që shoqëronte Ervis Martinajn

Zbardhen detaje të reja nga shpërthimi me tritol në një lokal në Kamëz. Policia ka arrestuar tre autorë të dyshuar dhe ka shpallur një tjetër në kërkim.

Sipas hetimeve, motivi i ngjarjes lidhet me mosshlyerjen e një gjobe prej 500 mijë eurosh.

Në pranga kanë rënë:

  • Jeton Lami, ish-oficer i operacionales, i përfshirë më herët në çështjen e shoqërimit të Ervis Martinajt para zhdukjes së tij.
  • Florin Domi dhe Flogert Mezhika, banues në Kamëz, të dyshuar si pjesë e një grupi gjobëvënësish.

Në kërkim është shpallur Ervis Lami, 31 vjeç, person me precedentë të rëndë kriminal. Ai u arratis pasi gjatë një kontrolli në janar, policia i gjeti një automatik me silenciator.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se njëri nga autorët, i maskuar si punëtor pastrimi, vendosi lëndën plasëse në fasadën e lokalit dhe u largua me biçikletë.

Objekti në fjalë është në pronësi të Saimir Sinës, rezident në Itali, dhe i dhënë me qira dy kunetërve Klodjan Murati dhe Benard Elezi. Ata kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me autorët.

Sipas policisë, grupi kriminal i kishte kërkuar pronarit që të mos ua jepte biznesin me qira kunetërve, pasi përndryshe do të duhej të paguante 500 mijë euro. Pas refuzimit, autorët vendosën eksplozivin, i cili shkaktoi vetëm dëme materiale.

Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Shtrëngim me anë të dhunës për dhënie pasurie”.

Scroll to Top