Dyshohet se spiunonin për llogari të Rusisë, arrestohen 3 persona në Mbretërinë e Bashkuar
Autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar kanë arrestuar tre burra, të cilët dyshohet se spiunonin për llogari të Rusisë. Ky lajm u bë i ditur të enjten nga Policia Metropolitane.
Të dyshuarit, me moshë 44 deri në 48 vjeç, janë ndaluar në disa adresa në zonën perëndimore dhe qendrore të Londrës. Sipas policisë, ata dyshohet se kanë shkelur Aktin e Sigurisë Kombëtare të vitit 2023, duke “ndihmuar një shërbim të inteligjencës së huaj”. Forca policore sqaroi se Rusia është vendi që besohet të jetë ndihmuar nga këta individë.
Aktualisht po kryhen kërkime në adresat ku janë bërë arrestimet, si dhe në një vendndodhje shtesë në perëndim të Londrës.
Komandanti Dominic Murphy, i cili drejton policinë kundër terrorizmit në Londër, theksoi se Mbretëria e Bashkuar po vëzhgon një rritje të numrit të “të rekrutuarve” nga shërbimet e huaja të inteligjencës.
Javën e kaluar, Ken McCallum, kreu i shërbimit të sigurisë MI5, deklaroi se Rusia është “e përkushtuar për të shkaktuar kaos dhe shkatërrim”. Ai shtoi: “Gjatë vitit të kaluar, ne dhe policia kemi penguar një seri komplotesh vëzhgimi me qëllime armiqësore, të cilat synonin individë që udhëheqësit rusë i perceptojnë si armiq të tyre”.
Kremlini vijon të mohojë çdo përfshirje në akte sabotimi kundër Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera evropiane që mbështesin Ukrainën.
Arrestimet e së enjtes vijnë ndërsa gjashtë burra po gjykohen për një sulm i dyshuar me zjarrvënës, i mbështetur nga Rusia, ndaj bizneseve të lidhura me Ukrainën në lindje të Londrës, të ndodhur në vitin 2024. Dylan Earl, i cili udhëhiqte grupin, ishte personi i parë që u shpall fajtor sipas Aktit të Sigurisë Kombëtare.
Muajin e kaluar, dy burra dhe një grua u arrestuan në Essex, nën dyshimin se spiunonin për Rusinë. Ndërkohë, në maj, një gjykatë britanike dënoi gjashtë shtetas bullgarë, pjesë e një rrjeti spiunazhi rus, me një dënim total prej mbi 50 vjetësh burg.
