Arrestime Vlorë: Babë e bir të dyshuar për eksploziv

Dy persona të arrestuar në Vlorë, vendosën lëndë eksplozive në banesën e nënës së Gentjan Zotos.

Ngjarja, që ndodhi rreth 3 javë më parë në qytetin e Vlorës, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e një banese, është zbardhur nga policia. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Objektivi”, të finalizuar nga Komisariati i Policisë Vlorë dhe strukturat hetimore të DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u identifikuan, lokalizuan dhe u vunë në pranga dy autorë të dyshuar, babë e bir.

Në vijim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 29.11.2025, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të banesës së një shtetaseje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Objektivi”.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë ndalimi i dy shtetasve, babë e bir, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja”. Të ndaluarit janë:

  • D. G., 59 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë.
  • F. B., 29 vjeç, banues në Babicë e Madhe, Vlorë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas kanë disponuar në banesën e tyre një automjet tip “Volkswagen Golf Plus”, i cili rezulton i vjedhur në qytetin e Elbasanit. Më pas, më datë 29.11.2025, ky automjet dyshohet se është përdorur nga këta shtetas për t’u afruar pranë banesës së shtetases B. Z., ku dyshohet se është vendosur një sasi lënde plasëse në portën e jashtme të banesës, e cila më pas ka shpërthyer.

Pas kryerjes së ngjarjes, automjeti i përdorur nga këta shtetas është gjetur i djegur në fshatin Babicë e Vogël, Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale përkatëse, ndërkohë që hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Scroll to Top