Arrestimi i avokatit, Gaz Bardhi: Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas lirimit nga prokuroria e Elbasanit të avokatit Ulian Barjami. Sipas Bardhit, arrestimi i avokatit është një “tipar i qartë se Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor”.
“Në një shtet të së drejtës, roli i avokatëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve është i pazëvëndësueshëm. Në këtë kuptim, arrestimi i një avokati, pas një debati të tensionuar me përfaqësuesit e organit të akuzës në sallën e gjyqit, është një ngjarje e papranueshme. Në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, akte të tilla janë tipare të qarta që Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor.”
Bardhi theksoi se ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të thellë nga organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), në mënyrë që të mos shndërrohen në precedentë që ngushtojnë hapësirat profesionale të mbrojtjes efektive të avokatëve.
“Avokatët, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët, kanë një rol thelbësor në garantimin e procesit të rregullt gjyqësor dhe çdo cënim i aktivitetit të tyre profesional duhet të marrë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga organet kompetente. Keqpërdorimi i urdhër-arresteve ndaj avokatëve që kërkojnë aplikimin e filtrave të ligjshmërisë qoftë nga Prokuroria, ashtu edhe nga Gjykata, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore, na kujton të shkuarën aspak të lavdishme kur profesioni i avokatit u ndalua me ligj,” deklaroi Bardhi.
