Policia jep detaje për arrestimin e Ervin Matës: Me ID false angleze në Brazil
Policia e Shtetit ka dhënë detaje rreth arrestimit të Ervin Matës në Brazil, si pjesë e një operacioni të koduar si “The Wanted”. 39-vjeçari Mata akuzohet se ka koordinuar veprimtarinë e anëtarëve të një grupi kriminal për trafikimin e 240 kilogramëve kokainë. Ai fshihej në Brazil duke përdorur dokumente identifikimi angleze të falsifikuara.
“Grupi kriminal, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Europë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese të 6 shteteve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar Matës masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë një procedimi të regjistruar nga SPAK në vitin 2023, janë kryer hetime, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe me agjencitë ligjzbatuese nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania, Brazili dhe Kolumbia. Këto hetime kanë pasur në fokus disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe disa vende europiane. Gjithashtu, janë kryer hetime edhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri.
“Në kuadër të këtij procedimi, shtetasi E. M. dyshohet se ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij për trafikimin e 240 kg lëndë narkotike Kokainë, më datë 29 shtator 2020. 39-vjeçari u kap në qytetin e Ilha Bela, dhe kishte në përdorim dokumente identifikimi angleze të falsifikuara. Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Brasilia, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit E. M. në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e policisë.
