Arrestohet 21-vjeçari për mashtrim me kredi të rreme në Tiranë

Ofronte kredi të rreme në emër të një banke, arrestohet 21-vjeçari

Një rast mashtrimi kompjuterik është goditur në Tiranë, ku si pasojë është arrestuar autori kryesor dhe janë proceduar dy persona të tjerë.

Në kuadër të operacionit, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit Orlando Gjoka, 21 vjeç, banues në Laç. Gjithashtu, janë proceduar penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç, dhe E. Gj., 21 vjeç.

Shtetasi O. Gj. kishte krijuar një profil të rremë në rrjetet sociale, duke përdorur logon dhe emrin e një banke, me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte individë përmes platformave të ndryshme online, duke u ofruar kredi të rreme nga banka.

Nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, ai arrinte të tërhiqte fondet. Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, duke u premtuar në mënyrë fiktive një kredi prej 15 000 eurosh.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimeve Kibernetike dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë i mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së tij të paligjshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.

Scroll to Top