Arrestohet 35-vjeçari për shitje produktesh bujqësore të skaduara

Shiste produkte bujqësore të skaduara, arrestohet 35-vjeçari

Një 35-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se shiste produkte bujqësore të skaduara, duke u ndryshuar datën e skadencës.

Sipas uniformave blu, personit me iniciale E. D., 35 vjeç, gjatë një kontrolli të ushtruar nga punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) në magazinën e tij në Fushë-Krujë, iu gjet një sasi e konsiderueshme produktesh bujqësore. Këto produkte kishin afat përdorimi dy vjet nga data e prodhimit, por 35-vjeçari u kishte vendosur etiketa të reja, të cilat tregonin një afat përdorimi tre vjet nga data e prodhimit.

Hetimet paraprake sugjerojnë se i arrestuari ka shitur gjithashtu sasi të konsiderueshme produktesh për mbrojtjen e bimëve, duke u shtyrë afati i skadencës me një vit më shumë nga ai i miratuar nga Ministria e Bujqësisë.

Gjatë kontrollit, shërbimet e policisë sekuestruan, si prova materiale, qindra etiketa ngjitëse, të cilat ishin përdorur për të ndryshuar afatin e përdorimit të produkteve bujqësore.

“Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka shitur një sasi të konsiderueshme produktesh bujqësore për mbrojtjen e bimëve, të cilave iu ka shtyrë afatin e skadencës, me 1 vit më shumë se ai i miratuari nga Ministria e Bujqësisë. Gjatë kontrollit të kryer në bashkëpunim me punonjësit e AKU-së, në magazinën e këtij shtetasi, në Fushë-Krujë, u konstatua një sasi e konsiderueshme produktesh bujqësore, me afat përdorimi 2 vjet nga viti i prodhimit, të cilave ky shtetas iu kishte vendosur etiketa që përcaktonin afat përdorimi 3 vjet nga data e prodhimit”, sqaroi policia.

Materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top