Ish-drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), Spartak Zekja, u arrestua të martën me vendim të Gjykatës së Tiranës, pasi akuzohet për “falsifikim dokumentash” lidhur me një skemë fiktive të rimbursimit të ilaçeve në vlera të konsiderueshme.
Sipas një njoftimi të Prokurorisë së Tiranës, skema ka në qendër kompaninë farmaceutike CFO Pharma. Kjo kompani, përmes dy kompanive të tjera të kontrolluara prej saj, akuzohet se ka bërë shit-blerje fiktive të barnave “Foster” dhe “Trimbow” me qëllim përfitimin e fondeve të rimbursimit nga FSDKSH.
Kompania CFO Pharma është në pronësinë e Nadir Çaushollit. Ai është akuzuar edhe më parë për skema mashtruese me FSDKSH. Prokuroria e Tiranës deklaroi se kishte shpallur në kërkim administratorin e tij, Frigul Milla, për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe fshehjes së të ardhurave, kryer në bashkëpunim.
Gjashtë masa të tjera, më të lehta sigurie, janë lëshuar ndaj punonjësve të FSDKSH, të cilët akuzohen se kanë bashkëpunuar në këtë skemë.
Hetimet për këtë çështje nisën pas kallëzimit në Prokurorinë e Tiranës nga administratori i kompanisë “Medicamenta”, e cila është importues ekskluziv i disa barnave, e licensuar dhe kontraktuar nga FSDKSH.
Sipas kallëzimit, kompania CFO Pharma, në bashkëpunim me “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” dhe zyrtarë të Fondit, kryenin veprimtari të kundraligjshme të shit-blerjeve fiktive të dy medikamenteve dhe falsifikimit të inventarëve, me qëllim marrjen e parave të rimbursimit në mënyrë të padrejtë.
“Nga të dhënat e publikuara nga Fondi… u konstatua një skemë e organizuar me qëllim përfitimi korruptiv të fondeve të rimbursimit në vlera shumë të mëdha. Në qëndër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik “CFO Pharma” në bashkëpunim me zyrtarë të FSDKSH,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas Prokurorisë, kompanitë “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë themeluar “de fakto” nga pronari i CFO Pharma dhe kanë deklaruar gjendje fiktive të inventarit fillestar pranë Fondit, me qëllim vënien në jetë të skemës fiktive. Më pas, kompania “Pharma Plus” akuzohet se ka deklaruar medikamente me vlerë 10 milionë lekë dhe kompania “Medix Albania” në vlerën 60 milionë lekë, pa kryer realisht asnjë blerje.
“Fakti i miratimit të këtyre inventareve fiktive si dhe lidhja e kontratave të këtyre subjekteve nga zyrtarë të FSDKSH tregon qartë përfshirjen e zyrtarve të Fondit si pjesë e kësaj skeme. Shitjet fiktive të “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” janë bërë drejt “CFO Pharma”, e cila ka lëshuar fatura fiktive drejt disa farmacive,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Spartak Zekja e ka drejtuar Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor deri në shtator të këtij viti, kur dha dorëheqjen. Megjithatë, skemat mashtruese me fondet e rimbursimit të medikamenteve kanë ndodhur edhe shumë përpara drejtimit të tij.
Një hetim i vitit 2015 i Prokurorisë së Tiranës zbuloi një skemë tjetër mashtrimi që kishte në qendër kompaninë e cila drejtohej në atë kohë nga Nadir Çausholli. Çausholli u dënua me 2.6 vjet shërbim prove për mashtrim dhe falsifikim, por e apeloi çështjen duke marrë pafajësi në apel.
Ndërsa kompania “Omega Pharma” u përthith nga kompania CFO Pharma, e zotëruar fillimisht nga babai i Çaushollit dhe më pas nga ai vetë.