Arrestohet në Tiranë 36-vjeçari i dënuar për falsifikim

I dënuar në Maqedoninë e Veriut për falsifikim, 36-vjeçari arrestohet në Tiranë

Finalizohet operacioni i koduar “Operacionalja 73”. Një 36-vjeçar, i dënuar nga autoritetet gjyqësore të Maqedonisë së Veriut me 2 vjet burgim për falsifikim të monedhave, është kapur dhe arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim edhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit finalizuan operacionin e koduar “Operacionalja 73”. Gjatë këtij operacioni, në Tiranë u kap dhe u vu në pranga shtetasi N. S., 36 vjeç, me vendlindje në Maqedoninë e Veriut.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Themelore e Kumanovës e ka dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Scroll to Top