Arsen Muskurti dënohet me burgim të përjetshëm

Gjykata e Tiranës ka shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm për Arsen Muskurtin, i cili u shpall fajtor për vrasjen e vëllait dhe kunatës së tij, Dritan dhe Nora Muskurti, pas një konflikti mes tyre.

Vuajtja e dënimit për të pandehurin do të fillojë nga data e arrestimit, më 30 gusht 2022, dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Arsen Muskurti u deklarua fajtor për tre vepra penale:

  • “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, për vrasjen e vëllait të tij, Dritan Muskurti, për të cilën u dënua me burgim të përjetshëm.
  • “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, për vrasjen e shtetases Nora Muskurti, për të cilën u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm.
  • “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për të cilën u dënua me 7 vjet burgim.

Gjykata vendosi që arma e zjarrit, me të cilën u krye vrasja, t’i kalojë shtetit. Dy celularët e viktimave do t’u kthehen familjarëve të tyre.

Sipas nenit 190 të Kodit Procedural Penal, prova materiale e sekuestruar, përfshirë një pistoletë dhe fishekë, do të kalojë në favor të shtetit, ndërsa dy celularët e viktimave do t’u kthehen familjarëve.

Scroll to Top