Arsenali synon kreun në Champions kundër Bajernit

Arsenali, synon kreun edhe në Europë! Arteta: Kundër Bajernit, sfida që duam të gjithë

Përveç kryesimit në Premier Ligë, Arsenali synon të mbajë lart renditjen edhe në Ligën e Kampionëve. Për të arritur këtë objektiv, skuadra duhet të kalojë sonte njërën nga skuadrat më në formë, Bajernin e Mynihut. Të dyja ekipet ndajnë kreun e grupit, me “Topçinjtë” që janë përpara vetëm falë diferencës së golave.

Mikel Arteta vlerësoi lartë formën e bavarezëve: “Bajerni është në një moment të shkëlqyer. Niveli i qëndrueshmërisë, rezultatet dhe performancat që po tregojnë çdo javë janë shumë mbresëlënëse. Ne e dimë këtë, por kjo është gjithashtu një mundësi e madhe për ne për të treguar se çfarë jemi të aftë të bëjmë. Jemi përgatitur mirë, duke ditur rëndësinë e ndeshjes. Jemi në një pozicion vërtet të favorshëm dhe duam ta ruajmë atë. Na pret një ndeshje e bukur dhe shumë impenjative,” tha fillimisht trajneri spanjoll.

Lidhur me Bajernin, ai shtoi: “Ky është lloji i kundërshtarit me të cilin duam të përballemi. Pikërisht këto janë ndeshjet që dëshirojmë t’i luajmë në këtë kompeticion. Kemi qenë shumë të qëndrueshëm në të dy kompeticionet, edhe ata kanë qenë të qëndrueshëm. Është një provë e mirë për ne,” tha trajneri i Arsenalit.

Arteta theksoi se skuadra duhet të tregojë të njëjtin ritëm dhe agresivitet si në ndeshjet e fundit edhe ndaj gjermanëve në Champions, për të vijuar serinë pozitive. Arsenali dhe Bajerni e kanë nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke grumbulluar dymbëdhjetë pikë në katër ndeshjet e para të fazës së Ligës.

Mbrojtësi i gjithanshëm i klubit londinez, Timber, shprehu admirim për sfidën me Bajernin: “Edhe sikur të mos ishte sfida që vendos ekipin e parë kundër të dytit, Bajern Mynih është një klub i madh. Ata kanë një ekip të shkëlqyer, lojtarë të shkëlqyer, trajner të shkëlqyer. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Të dyja ekipet duan të bëjnë presion, duan të luajnë. Do të jetë një ndeshje emocionuese edhe për tifozët,” shtoi ai.

Londinezët e Arsenalit janë të motivuar pas fitores së madhe në derbin kundër Totenhemit, duke numëruar 15 ndeshje pa humbje në të gjitha kompeticionet.

Scroll to Top