Atalanta pëson humbjen e parë në kampionat, rikthehet në “normalitet” pa Gasperinin në stol
Duket se vitet e sukseseve mes pretendentëve në Serie A kanë marrë fund për skuadrën e Atalantës. Fati i saj duket se ka ndryshuar plotësisht me largimin e Xhampiero Gasperinit nga drejtimi i klubit bergamask dhe me afrimin e Ivan Juriç në vendin e tij.
Ndërsa Gasperini ka shkuar te Roma dhe e ka kthyer menjëherë në pretendente, nën drejtimin e Juriç, skuadra ku bën pjesë Berat Gjimshiti, pak nga pak po kthehet në normalitetin e viteve të mëparshme. Atëherë ajo ishte një ekip i mesit të tabelës që luftonte për të mos u përfshirë në luftën për mbijetesë.
Sot, Atalanta u mund nga Udineze me rezultatin 1-0, falë një goli të Zaniolos në pjesën e parë, duke shënuar humbjen e parë pa pikë të këtij sezoni. Ky rezultat e lë skuadrën bergamaske momentalisht në vendin e 11-të në renditje, me vetëm 13 pikë të grumbulluara në 10 ndeshje të luajtura. Nga këto, vetëm në 2 prej tyre ka regjistruar fitore, ndërsa në 7 të tjera është ndalur në barazim.
