Atentat në Lushnjë: Breshëri kallashnikovi drejt rivalit të Aldo Bares
Julian Sulo, i njohur si rival i Aldo Bares, i ka shpëtuar një atentati të mirëorganizuar në Lushnjë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, pranë spitalit të qytetit. Sulo po udhëtonte me automjet kur persona ende të paidentifikuar i zunë pritë dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi.
45-vjeçari Sulo u godit në këmbë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autorët, të cilët udhëtonin me makinë, kanë qëlluar në lëvizje. Pak minuta më vonë, automjeti që dyshohet se është përdorur nga sulmuesit u gjet i djegur në fshatin Lifaj, së bashku me armën e krimit.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, të cilët u larguan pa lënë gjurmë. Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit për të bërë të mundur kapjen e tyre.
Njoftimi zyrtar:
- Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi J. S., 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
- Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
- Në afërsi të fshatit Lifaj është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve.
- Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Kush është Julian Sulo?
Julian Sulo, i njohur edhe me nofkën “Juli Pashakos”, është një personazh i njohur për policinë. Ai është arrestuar më parë si i dyshuar për atentatin ndaj nipit të Aldo Bares, por u la i lirë për mungesë provash. Sulo ka qenë ndër të dyshuarit për atentatin ndaj Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit, të afërm dhe miq të nipit të Bares, por ai ka mohuar çdo përfshirje para hetuesve.
Në të kaluarën, ndaj Sulos është kryer edhe një tjetër tentativë për ta eliminuar. Ai u dhunua rëndë me leva metalike, duke pësuar dëmtime të shumta, por autorët e asaj ngjarjeje nuk u zbuluan kurrë.
