Atentat në Lushnjë: Juljan Sula plagoset nga tre persona

Tre persona pritën Julian Sulën, lëvizjet e autorëve para breshërisë së plumbave.

45-vjeçari Juljan Sula, i njohur ndryshe si Juli i Pashakos, rreth orës 11 të kësaj të martë sapo kishte dalë nga banesa e tij në Karbunarë, pa e ditur se në hyrje të Lushnjës do të binte pre e një atentati nga 3 persona që i kishin ngritur pritë.

Ndërsa po qarkullonte me makinë pranë stadiumit, drejt tij u qëllua me breshëri kallashnikovi nga 3 persona që dolën nga një mjet i parkuar në zonë. Për t’i shpëtuar rrezes së sulmit, Sula u largua me mjet drejt banesës së tij, në afërsi të së cilës e gjeti dhe policia.

45-vjeçari u gjet i plagosur në këmbë dhe mjekët ligjor do të saktësojnë rrethanat e këtij dëmtimi.

Ngjarja ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të Lushnjës, mes spitalit dhe stadiumit të qytetit, ku qytetarë të rastit shpëtuan mrekullisht nga të shtënat me breshëri.

Pas atentatit, autorët u larguan drejt fshatit Lifat, aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën.

Në brendësi të të cilit, policia gjeti një kallashnikov dhe një pistoletë që dyshohet se u përkisnin autorëve, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Scroll to Top