Atentat Rinas: Kamera jashtë funksioni, errësirë në rrugën drejt Niklës

Atentati në Rinas: Kamerat nuk filmuan, rruga nga Nikla pa energji elektrike

Zbardhen detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i ekzekutuar Gilmando Dani, një person i afërt me Emiljano Shullazin, dhe u plagos Muçi Shaljani, agjent i Mbikëqyrjes Policore, i njohur gjithashtu si “Sheqeri”.

Grupi hetimor ka konstatuar se autorët, të cilët lëviznin me një automjet tip ‘Toyota’, janë nisur nga zona e Niklës drejt aeroportit të Rinasit për të kryer atentatin në stil mafioz. Dyshimet bien edhe mbi mundësinë që ata të kenë ndërhyrë në fikjen e energjisë elektrike.

Burime të brendshme informojnë se rruga e përshkuar nga Nikla drejt Rinasit, si dhe kthimi, nuk ka pasur furnizim me energji elektrike, çka ngre dyshimin se kjo mund të jetë bërë për të humbur gjurmët.

Dyshohet se atentatorët kanë pasur informatorë si në Spanjë, ashtu edhe brenda territorit të Shqipërisë, madje edhe në aeroport.

Avioni me të cilin udhëtonin Dani dhe miku i tij pati disa orë vonesë. Fluturimi, që pritej të mbërrinte në mëngjes, u shty për në drekë.

Në automjetin ‘Toyota’ ndodheshin katër persona: një shofer dhe tre pasagjerë që dyshohet të kenë qëlluar. Makina ka pritur për rreth 10 minuta në rrethrrotullimin e Rinasit. Sapo automjeti i Danit u afrua, autorët kanë hapur zjarr me breshëri.

Njëri nga atentatorët zbriti nga makina, i maskuar dhe me kapele, dhe qëlloi disa herë drejt automjetit të Danit për t’u siguruar që ai të vdiste. Më pas, ata u larguan në drejtimin nga kishin ardhur, për të djegur automjetin ku më vonë u gjetën katër armët e përdorura në atentat: tre kallashnikovë dhe një pistoletë.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet greke, ka verifikuar se targat e automjetit të përdorur nga autorët janë vjedhur një vit më parë në Greqi, një praktikë e zakonshme në ngjarjet kriminale.

Grupi hetimor ende nuk ka përcaktuar nëse automjeti ishte i vjedhur, pasi numri i shasisë nuk është rikuperuar për shkak të dëmtimit nga zjarri. Gjithashtu, po verifikohen të gjitha automjetet dhe personat që kanë kaluar disa herë pranë portës dalëse të aeroportit, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë personave që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani kanë dalë.

Scroll to Top