Atentati në Rinas: Berisha akuzon shtetin për lidhje me bandat

Atentati në Rinas: Berisha pretendon se shteti e patronoi për bandat

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se atentati në Rinas u patronua nga shteti për llogari të bandave më të afërta me qeverinë, sesa ajo e Emiljano Shullazit.

Gjatë një konference për media, Berisha u shpreh se vendi ku ndodhi ekzekutimi publik i Gilmando Danit, sipas protokolleve të sigurisë publike, është vendi më i ruajtur se çdo vend tjetër.

Ai theksoi se nuk ekziston asnjë zonë tjetër ku të kryqëzohen në mbikëqyrje kaq shumë forca policore dhe speciale.

Nga zyra e selisë blu, Berisha deklaroi se atentatorët, pasi shkrepën breshëri të shumta mbi makinën që e prisnin të sigurtë, u larguan të qetë dhe përshkruan pa asnjë lloj kontrolli rrugën Rinas-Fushë Krujë.

“Ekzekutimi publik i djeshëm i Gilmando Danit, një eksponent kryesor i organizatës kriminale të Emiljano Shullazit, dhe plagosja e rëndë e Muçi Shaljanit, i njohur si Sheqeri, në pamje të parë shofer i drejtorit të shërbimeve inteligjente të Policisë së Shtetit dhe inspektor policie, por në fakt një bos edhe ky, bashkë me vëllain e tij, në krimin e organizuar dhe drogën, është një ngjarje që u patronua kryekëput nga shteti për llogari të bandave më të afërta me qeverinë se sa banda e Shullazit.

Vendi i ekzekutimit publik të tyre, sipas protokolleve të sigurisë publike, është vendi më i ruajtur se çdo vend tjetër. Në atë zonë, përveç patrullës së policisë së rendit, është patrulla e policisë rrugore dhe, ngjitur me to, është furgoni i FNSH-së, i instaluar aty që pas vjedhjes së shekullit të parave në aeroportin e Rinasit. Është edhe një njësi që qëndron aty në mbrojtje të sallonit të VIP-ave kur kalojnë qeveritarët. Pra, nuk ekziston asnjë zonë tjetër, asnjë territor tjetër, ku të kryqëzohen në mbikëqyrje kaq shumë forca policore dhe speciale.

Është gjithsej 100 metra nga rajoni i policisë së Rinasit, është pak metra nga dalja e sallonit të VIP-ave. Pra, atentatorët apo vrasësit, pasi shkrepën breshëri të shumta mbi makinën që e prisnin të sigurtë, dhe që e kishin zënë pritë pikërisht aty ku nuk mund të zëje pritë kurrë pa lejen e shtetit, pas ekzekutimit u larguan të qetë dhe përshkruan pa asnjë lloj telashi apo pengese të gjithë rrugën Rinas-Fushë Krujë, të gjithë rrugën Fushë Krujë pothuajse deri në Krujë. Fshati Halil është pranë Krujës, ngjitur me kalanë e Zgërdheshit. Dhe ata shkuan në Zgërdhesh, dhe asnjë lloj përpjekje nuk u bë nga narkopolicia për të ndaluar vrasësit e Gilmando Danit dhe ata që plagosën rëndë Mustafa Shaljanin, apo Sheqerin”, tha Berisha.

Scroll to Top