Atentati ndaj Ranuccit: Hetimet zgjerohen jashtë Italisë
Atentati ndaj drejtuesit të emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave kryesore italiane. Pista shqiptare, fillimisht e konsideruar si një mundësi e largët, tani trajtohet si një drejtim i rëndësishëm hetimor, ndërsa analiza e fakteve, kontakteve dhe lidhjeve ndërkufitare po merr përmasa të reja.
Hetimi po shqyrton jo vetëm fazën e përgatitjes së sulmit, por edhe lëvizjet paraprake, vëzhgimet, mënyrën e largimit dhe çdo element që mund të sugjerojë një autor fizik apo një organizim më të gjerë.
Burime nga Drejtoria Antimafia në Romë konfirmojnë se një segment i hetimit lidhet me Artur Shehun, një sipërmarrës shqiptar me banim prej vitesh në SHBA. Ai është përmendur në disa dosje ndërkombëtare për lidhje të supozuara me rrjete kriminale në Shqipëri dhe Itali. Emri i tij u trajua nga “Report” në datën 21 prill, në një puntatë që analizoi projektin e “hotspoteve” të migrantëve sipas marrëveshjes Itali-Shqipëri. Në atë emision, Shehu u paraqit si një figurë me peshë në bizneset ndërkufitare dhe me kontakte të rëndësishme në sektorë ku përplasen interesa të mëdha ekonomike, politike dhe kriminale.
Gjithashtu, “Report” publikoi dokumente për një sipërfaqe toke prej 30 mijë metra katrorë pranë Vlorës, e dhuruar një fondacioni italian dhe ish-gjeneralit të Guardia di Finanzës, përmes ndërmjetësimit të personave të lidhur me qarqe qeveritare shqiptare.
Hetuesit po verifikojnë nëse ekspozimi publik i këtyre raporteve, marrëdhënieve dhe interesave mund të ketë shkaktuar reagime të forta nga individë të prekur, duke përfshirë rrjete jashtë Italisë. disa procese të mëparshme kanë treguar se grupet kriminale ndërkombëtare reagojnë ashpër ndaj ekspozimit mediatik, prandaj po analizohet çdo mundësi: hakmarrje, presion apo sinjal paralajmërues.
Po shqyrtohet profili i personit që vendosi lëndën plasëse, kamerat e zonës dhe lëvizjet para dhe pas shpërthimit. Po kontrollohen kontaktet telefonike dhe trafiku i komunikimeve në ditët përreth atentatit. Po hetohet nëse atentatorët kanë pasur mbështetje nga jashtë Italisë dhe po verifikohen udhëtimet drejt dhe nga Shqipëria në periudhën para atentatit.
Verën e kaluar, është tentuar hyrja në një nga pronat e dyta të Ranuccit. Në atë kohë nuk u gjet asnjë provë e qartë, por sot ky episod po rishikohet si një mundësi “sintezuese” e një strategjie presioni.
Rreth Ranuccit është ngritur një mur i gjerë mbështetjeje nga institucionet, drejtoria e RAI-t, sindikatat e gazetarëve dhe shoqëria civile. Nivelin e vëmendjes hetimore, burime nga karabinierët e përshkruajnë si “jashtëzakonisht të lartë”, një term që përdoret vetëm kur ekziston rrezik real për jetën e një gazetari.
Pritshmëritë në orët dhe ditët e ardhshme
Hetuesit do të saktësojnë nëse pista shqiptare është vetëm një hipotezë e ndërlidhur me tematikat e trajtuara nga “Report”, apo nëse ekzistojnë elementë konkretë që e lidhin drejtpërdrejt me autorësinë e atentatit. Në këtë fazë, asnjë pistë nuk është përjashtuar. Nga hetimet ligjore e deri te marrëdhëniet ndërkombëtare, gjithçka po analizohet me kujdes ekstrem.
Rasti Ranucci është shndërruar në një provë serioze për sigurinë e gazetarëve investigativë në Itali dhe për ndikimin që mund të kenë raportimet e tyre në rrjete kriminale që operojnë në disa shtete.
