Aurel Zarka kundër Gjykatës së Lartë për dosjen Toyota Auris

Dosja ‘Toyota Auris’: Ish-prokurori Aurel Zarka kundër gjykatës

Gjykata e Apelit vendosi kthimin e dosjes së ish-prokurorit Aurel Zarka për rigjykim, nën dyshimin se ai ka vepruar si pjesë e një grupi kriminal. Menjëherë pas këtij vendimi, Zarka reagoi duke ushtruar rekurs pranë Gjykatës së Lartë. Sipas raportimit të gazetare Alketa Shaba për Top News, relator i çështjes është caktuar Sokol Binaj, i cili do të caktojë datën për zhvillimin e seancës.

Gjykata e Apelit të Posaçëm vlerësoi se provat dhe rrethanat tregojnë qartë se jo vetëm Zarka, por edhe tre të pandehurit e tjerë të çështjes kanë bashkëpunuar si një grup i strukturuar kriminal. Ky vlerësim ndryshon nga ai i prokurorëve të çështjes dhe gjyqtarëve të Shkallës së Parë, të cilët e cilësuan veprimtarinë si bashkëpunim të thjeshtë në rrethana rënduese.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), prokurori dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale të hetuara në katër prokurori të ndryshme. Këto çështje lidhen kryesisht me veprimtari të krimit të organizuar, si pastrimi i parave dhe kultivimi i narkotikëve.

Një nga çështjet penale, e njohur si “Toyota Auris”, u regjistrua pas bllokimit të 3.4 milionë eurove kesh në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018. Shuma e parave ishte fshehur në dy makina të përdorura të importuara nga Belgjika.

Në shkallën e parë, ish-prokurori u dënua me 2.8 vite burg, nëpërmjet aplikimit të gjykimit të shkurtuar, për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit.

Scroll to Top