Autoriteti i Konkurrencës Gjobit Gjashtë Grumbullues të Fruta-Perimeve për Fiksim Çmimesh
Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar sot se ka gjobitur disa ndërmarrje të tregut të grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve për sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve të këtyre produkteve. Vendimi erdhi në përfundim të një procesi hetimor të thelluar, i cili zgjati gati dy vite dhe përfshiu monitorimin dhe hetimin e praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqe si Tirana, Elbasani, Berati, Fieri dhe Korça.
Gjatë mbledhjes së datës 26 nëntor, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet ku konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese – konkretisht: Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi (Person Fizik), Besim Thaqi (Person Fizik), Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit. Kjo praktikë, sipas Komisionit, ka diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe ka aplikuar një shtesë mbi kosto (mark-up) shumë të lartë, deri në 115%. Autoriteti shpjegon se kjo sjellje e bashkërenduar përbën një marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 dhe konsiderohet si shkelje e rëndë. Si pasojë, Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Hetimi i thelluar zbuloi se disa grumbullues, duke shfrytëzuar fuqinë e tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me:
- Çmime të diktuara dhe të koordinuara.
- Mbyllje të dyerve për negocim.
- Varësi të tepruar nga një numër i limituar blerësish.
- Presione për uljen e çmimeve.
- Shlyerje të vonuara të pagesave.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se ky vendim adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këto problematika dhe synon të forcojë pozitat e fermerëve në treg. Qëllimi është krijimi i kushteve për çmime më të drejta dhe transparente, nxitja e konkurrencës së ndershme mes grumbulluesve, ofrimi i mundësive reale të zgjedhjes për fermerët, siguria e pagesave dhe marrëdhënie më të balancuara kontraktuale, si dhe frenimi i skemave të koordinuara që dëmtonin të gjithë tregun kombëtar.
Edhe pse gjobiten vetëm 6 ndërmarrje, efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar. Ky vendim sjell qartësi mbi praktikat e ndaluara, vendos standarde të reja për transparencën e çmimeve, synon disiplinimin e tregut të fruta-perimeve dhe nxit konkurrencën e ndershme për të gjithë aktorët. Ky është një ndërhyrje strukturore me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin ushqimor dhe një sinjal i qartë se Autoriteti i Konkurrencës mbron interesat e fermerëve, një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociata.
Komisioni ka urdhëruar gjithashtu ndërmarrjet e gjobitura që të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë. Ato do të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës. Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.
Njëkohësisht, Autoriteti i Konkurrencës ka adresuar disa rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Rekomandimet përfshijnë:
- Minimizimin e informalitetit në gjithë zinxhirin e tregtimit.
- Hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE-së.
- Krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore).
- Vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara.
- Bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE-së për praktikat tregtare të padrejta (UTP).
