Azili nuk është më rrugë emigrimi, aplikimet bien 28% për janar-mars, tani preferohen lejet e punës
Kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian nuk po shihet më si një mënyrë e lehtë për t’u larguar nga vendi. Të dhënat zyrtare tregojnë se aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në tre muajt e parë të këtij viti ishin 1,045, niveli më i ulët që nga viti 2013. Kjo shifër është larg rekordit të vitit 2015, kur mbi 8 mijë shqiptarë aplikuan për azil vetëm në periudhën janar-mars.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, aplikimet për azil nga shqiptarët në janar-mars të këtij viti kanë rënë me rreth 28%. Franca, e cila historikisht ka qenë destinacioni më i preferuar për azilkërkuesit shqiptarë, ka regjistruar vetëm 310 aplikime nga Shqipëria në tre muajt e parë të vitit. Për krahasim, në vitin 2022, pas pandemisë, Franca kishte përpunuar gati 1500 kërkesa nga shqiptarët, të cilët u joshën nga politikat sociale të shtetit francez.
Megjithatë, rënia e kërkesave për azil nuk nënkupton një ulje të emigracionit në përgjithësi. Tani, lejet e punës janë bërë një formë më e preferuar për të emigruar. Ndërsa aplikimet për azil kanë rënë ndjeshëm, të dhënat tregojnë se në vitet 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20,000 leje pune në vit, kryesisht drejt Italisë, Greqisë dhe Gjermanisë. Kjo shifër është katër herë më e lartë në krahasim me rreth 3-4 mijë leje pune të dhëna një dekadë më parë. Kështu, emigrimi përmes lejeve të punës është bërë dukshëm më popullor se kërkesat për azil.
Emigrimi drejt vendeve të tjera bëhet edhe për arsye të bashkimit familjar. INSTAT konfirmon se tendenca e emigracionit mbetet e lartë, me një mesatare prej 28-30 mijë personash që largohen neto nga vendi çdo vit. Nga 1 janari 2021 deri më 1 janar 2026, më shumë se 166.4 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin, duke thelluar krizën demografike dhe duke kontribuar në një popullsi më të pakët dhe më të plakur.
Më pak aplikime të reja për azil në BE, por më shumë vendime pozitive
Në mars 2026, gjithsej 47,100 shtetas jo-BE aplikuan për herë të parë për azil në vendet e Bashkimit Europian. Ky numër paraqet një ulje prej 19% krahasuar me marsin e vitit 2025 dhe një rritje prej 1% krahasuar me shkurtin 2026. Përveç aplikimeve të para, u regjistruan edhe 10,075 aplikime të përsëritura, që është një rritje prej 28% krahasuar me marsin 2025.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, autoritetet e vendeve të BE-së morën 205,945 vendime të shkallës së parë për kërkesat për azil, një rritje prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, ky numër ishte 10% më i ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Nga të gjitha vendimet e marra, 41% rezultuan pozitive, duke i dhënë të drejtën për mbrojtje ndërkombëtare 84,925 aplikantëve.
Shtetasit e Venezuelës ishin grupi më i madh i aplikantëve për azil në BE në mars 2026, me 6,880 aplikime. Ata u pasuan nga afganët, bangladeshasit dhe sirianët. Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania përqendruan rreth 80% të të gjitha aplikimeve të para për azil në BE.
Në nivel të BE-së, në mars 2026, kishte 10.5 aplikantë për azil për çdo 100,000 banorë. Normat më të larta të aplikantëve u regjistruan në Greqi, Spanjë dhe Qipro.
Mbi 1,000 të mitur të pashoqëruar kërkuan azil
Në mars 2026, gjithsej 1,035 të mitur të pashoqëruar paraqitën kërkesë për azil në BE. Numri më i madh i tyre vinte nga Somalia, Venezuela, Afganistani, Sudani dhe Siria. Vendet kryesore që morën kërkesa për azil nga të mitur të pashoqëruar ishin Gjermania, Holanda, Spanja, Franca dhe Greqia.
Në tremujorin e parë të vitit 2026, vendet e BE-së i dhanë status mbrojtjeje 84,925 azilkërkuesve. Kjo përbën një rritje prej 28% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025. Nga azilkërkuesit që morën mbrojtje, 53% morën status refugjati, 24% mbrojtje plotësuese dhe 23% status humanitar. Gjermania, Spanja dhe Franca dhanë numrin më të lartë të vendimeve pozitive. Përfituesit kryesorë të statusit të mbrojtjes ishin afganët, venezuelianët dhe sirianët.
