Balla i përgjigjet Belerit: Termi Vorio Epir ka vdekur

Taulant Balla i përgjigjet Belerit pas intervistës në mediat greke: Termi Vorio Epir ka vdekur, mos shtrembëro historinë

Publikuar më 02.06.2026 nga shekulli_admin

Eurodeputeti i parlamentit grek, Fredi Beleri, ka reaguar së fundmi lidhur me çështjen e Zvërnecit. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi: “Fola rreth asaj që po ndodh në lidhje me Zvërnecin dhe me grekët e Epirit të Veriut”.

Ky reagim i tij ka ngjallur përgjigjen e kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Në një postim në rrjetet sociale, Balla u shpreh se termi “Epir i Veriut” ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta mbajnë gjallë.

“O zoti Eurodeputet Beleri, Zvërneci është në shtetin që quhet Shqipëri. Termi Epir i Veriut ka vdekur bashkë me çdo ëndërr të njerëzve që përpiqen ta mbajnë gjallë. Prandaj, të lutem zbato emërtesat zyrtare që të kërkon Parlamenti Europian,” shkroi Balla.

Ai shtoi: “Sa i përket angazhimit të Shqipërisë ndaj shtetit të së drejtës, mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe të drejtave të pakicave kombëtare, të jeni të sigurt se këto për ne janë detyrime kushtetuese, ligjore dhe angazhime europiane. Mos bëj politikë duke shtrembëruar fakte dhe historinë.”

“E vazhdojmë në Strasburg muajin tjetër këtë diskutim për gjithçka bëjmë ne për pakicën shumë të respektuar greke në Shqipëri,” përfundoi Balla.

Scroll to Top