Analiza e DW: Ballkani Perëndimor, ende në pikë kritike
Ballkani Perëndimor vijon të mbetet në pozicion delikat, pavarësisht reformave dhe progresit të ndërmarrë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Instituti gjerman “Aspen”, i cili mbështet vendet e rajonit ballkanik në rrugën drejt BE-së, ka theksuar një sërë sfidash në raportin e tij më të fundit, të titulluar “Ndryshimi strukturor në Ballkanin Perëndimor”.
Sipas raportit, disa vende vijojnë të mbeten prapa, duke u penguar nga fragmentimi politik, mangësitë në qeverisje ose agjendat e ngecura të reformave. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor përballen me një model të vazhdueshëm, ku sundimi i dobët i ligjit, institucionet e politizuara shtetërore dhe kapaciteti i kufizuar administrativ dëmtojnë zbatimin e politikave dhe “gërryejnë” besimin e publikut. Këtij modeli i bashkëngjiten edhe fushatat e vazhdueshme të dezinformimit, të cilat burojnë si nga aktorë vendas që kërkojnë avantazh politik afatshkurtër, ashtu edhe nga aktorë të jashtëm që synojnë të dobësojnë qëndrueshmërinë demokratike dhe të zbehin mbështetjen për harmonizimin me BE-në.
“Ikja e trurit”
Raporti më i fundit i Institutit Aspen përshkruan dukurinë e “largimit të trurit” nga rajoni si një tkurrje të popullsisë dhe një lëvizje të vazhdueshme të të talentuarve. Lëvizjet demografike shihen me shqetësim, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë, e cila në rajon ka mungesë njerëzish, aftësive dhe një të ardhme të qëndrueshme. Ai që dikur konsiderohej emigrim i përkohshëm, është bërë problem strukturor, pasi të rinjtë dhe punëtorët e kualifikuar largohen në kërkim të mundësive, teksa popullsia në plakje dhe pjesëmarrja e ulët në tregun e punës dëmtojnë fuqinë punëtore vendase.
Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina – qëndrojnë shumë poshtë standardeve të BE-së në kapitullin e “Aftësive”, duke reflektuar mospërputhje të vazhdueshme mes rezultateve në arsim dhe nevojave të tregut të punës. Ekspertët e Aspen vlerësojnë se në të gjithë rajonin, punëdhënësit raportojnë mangësi të punëtorëve të kualifikuar, edhe pse niveli arsimor rritet. Pagat e ulëta, krahasuar me vendet e BE-së, mundësia e kufizuar për të bërë karrierë dhe qasja në tregun europian të punës, janë ndër faktorët më të rëndësishëm. Rikthimet e të kualifikuarve që ikin janë tepër të kufizuara.
Shqipëria, “boshllëqe në sigurinë kibernetike”
Në procesin drejt anëtarësimit në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen si kryesuesit e rajonit, për shkak të reformave të ndërmarra. Një nga fushat ku theksohet ndërmarrja e hapave konkretë nga ana e Shqipërisë është modernizimi i infrastrukturës digjitale, përmes platformave si e-Albania, e cila centralizon shërbimet publike. Megjithatë, dobësitë kibernetike janë të theksuara, siç u tregua në rastet e sulmeve kibernetike të vitit 2022, të cilat dëmtuan sistemet shtetërore dhe nxorrën në pah boshllëqet në mbrojtjen e të dhënave. Raporti përmend miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2020-2025 dhe përafrimin me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave. Sidoqoftë, sfidat vazhdojnë në aspektin e lirisë së medias, presionit politik mbi gazetarët dhe pavarësisë institucionale të Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave. Mbështetja e BE-së dhe bashkëpunimi kibernetik me NATO-n kanë përmirësuar gatishmërinë digjitale të Shqipërisë, por nevojat për ndërtimin e kapaciteteve mbeten të larta.
Serbia, pengesa madhore për anëtarësimin e Kosovës
Sipas Institutit “Aspen”, Kosova konsiderohet kandidat potencial për anëtarësim nga Bashkimi Europian. Por edhe pse ka bërë progres në disa fusha, vendi përballet ende me pengesa madhore, ku peshën më të madhe e zë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. I njëjti argument vlen edhe për Serbinë. Serbia ka nisur negociatat për anëtarësimin në BE që prej vitit 2014, por përparimi mbetet i kufizuar, me shqetësime mbi reformën e sundimit të ligjit, lirinë e medias, harmonizimin e politikës së jashtme dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilat vijojnë të ngadalësojnë ritmin e negociatave.
Sfidat e brendshme dhe të jashtme të BE-së
Nga ana tjetër, zgjerimi i Bashkimit Europian gjendet mes udhëkryqit të situatës gjeostrategjike që ka krijuar pushtimi rus në Ukrainë dhe skepticizmit të brendshëm nëse shtetet e reja do të përshtaten siç duhet me rregullat e Unionit. Ndërsa disa shtete anëtare e shohin konsolidimin institucional si parakusht për pranimin e vendeve të reja anëtare, të tjera argumentojnë se procesi i zgjerimit në vetvete mund të veprojë si katalizator për modernizimin institucional. Si pasojë, BE-ja është përpjekur që qëllimin strategjik të saj ta përkthejë në një proces tërësisht të parashikueshëm.
