Balluku reagon ndaj SPAK: Jam krenare për veprat, jo pasuri

SPAK kërkon arrestimin e saj, Balluku flet para largimit nga detyra: I lamë Shqipërisë vepra, s’kam 300 apartamente, as jahte dhe limuzina

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me akuzat e ngritura ndaj saj nga SPAK, të cilët kanë kërkuar edhe arrestimin e saj. Deklarata e saj erdhi gjatë ceremonisë së prezantimit të Enea Karakaçit në krye të ministrisë që ajo drejtonte.

Balluku vlerësoi punët e Ministrisë së Infrastrukturës, duke u shprehur se është krenare për “veprat e lëna në Shqipëri”. Duke prezantuar ministrin e ri, Balluku theksoi se Karakaçi është pjesë e administratës së ministrisë dhe një shembull për zhvillimin profesional brenda institucionit.

“Enea nuk është shoku im dhe as e kam sjellë unë. Unë e kam gjetur këtu dhe ai duhet të jetë frymëzim për secilin prej jush, sepse tek ai çdo burrë dhe grua në këtë ministri duhet të shohë mundësinë e progresit të vet”, deklaroi Balluku.

Në vijim, ish-ministrja foli për herë të parë edhe për hetimin e nisur ndaj saj, duke theksuar se ka zgjedhur të mos komentojë publikisht çështjen për shkak të natyrës juridike të saj.

“Kam marrë vendim personal që të hesht për një çështje juridike, sepse ajo nuk zgjidhet as në rrjetet sociale dhe as në studiot televizive, por duhet të ndjekë rrjedhën që parashikon Kushtetuta dhe ligji”, tha ajo.

Balluku shtoi se ka mbështetur vazhdimisht reformën në drejtësi dhe pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë.

“Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi dhe i vizionit për një Shqipëri evropiane, duhet të rikthejë besimin e qytetarëve”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se nuk do të komentojë veprimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke theksuar se secili duhet të kryejë detyrën e tij pa u ndikuar nga debatet publike.

“Nuk do të përmend prokurorë apo gjyqtarë. Ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç kam bërë edhe unë timen”, deklaroi Balluku.

Ish-zv.kryeministrja mohoi gjithashtu akuzat për pasuritë e saj, detaje që siç është raportuar, kanë dalë nga hetimet e drejtësisë ndaj saj.

“Nuk kam dhe s’kam lidhje me korrupsionin. Nuk kam as 300, as 30 dhe as 3 apartamente. Nuk kam jahte, limuzina, helikopterë apo avionë. Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik që bëhet shumë lehtë në këtë vend”, tha ajo.

Balluku theksoi se ishte e kënaqur dhe e emocionuar që ishte me ekipin e saj, duke nënvizuar se çdo rrugëtim ka fillimin dhe fundin e tij. Ajo u shpreh krenare për gjurmët e jashtëzakonshme që lanë për infrastrukturën dhe falënderoi ekipin për përkushtimin ndaj vizionit të udhëheqësit, duke theksuar se sfidat i kanë bërë më të fortë dhe kanë krijuar një skuadër profesionale.

Ajo vuri në dukje rëndësinë e kapitalit njerëzor si aset më i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për qeverinë shqiptare dhe prezantoi ministrin e ri, duke e cilësuar atë si frymëzim për progresin brenda ministrisë.

Lidhur me çështjen juridike, Balluku përsëriti qëndrimin e saj për të mos komentuar publikisht, duke theksuar se drejtësia duhet të ndjekë rrugën ligjore dhe kushtetuese. Ajo shprehu besim te drejtësia e re, si produkt i reformës dhe vizionit për një Shqipëri evropiane, duke shtuar se drejtësia duhet t’i rikthejë besimin qytetarëve.

“Unë besoj te kjo drejtësi, nuk do anatemoj kur kjo drejtësi prek interesat e mia personale. Prokurorë e gjyqtarë do bëjnë detyrat e tyre pa ndikuar nga gjyqet publike, nga të pavërtetat apo gënjeshtrat”, deklaroi ajo.

Balluku pohoi se nuk ka penguar kurrë hetimin e nisur prej muajsh, as në pozicionin e saj si ministre, as si qytetare. Ajo inkurajoi drejtësinë të vijojë nxjerrjen e së vërtetës.

Sa i përket akuzave për pasuritë, ajo mohoi kategorikisht zotërimin e 300, 30 apo 3 apartamenteve, si dhe jahteve, limuzinave, helikopterëve apo avionëve. Ajo i cilësoi këto si pjesë të “gjyqeve publike” që bëhen lehtësisht në vendin tonë, duke shtuar se është rritur me to dhe se kurrizi i saj i mban.

“Unë di të bëj punën time. Kam ngarkuar qeverinë shqiptare me një peshë që nuk e meriton për shkak të rezultateve që kjo qeveri ka sjellë”, u shpreh Balluku.

Scroll to Top