Strategjia Afatmesme e Bankës së Shqipërisë Parashikon Hartimin e një Ligji të Ri për Bankat
Banka e Shqipërisë miratoi në fund të vitit të kaluar strategjinë e përditësuar afatmesme të zhvillimit, për periudhën 2026-2028. Ndër objektivat kryesorë të parashikuara në këtë dokument, përfshihet miratimi i një ligji të ri për bankat, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Ndër synimet e tjera, të lidhura me sigurinë dhe shëndetin e sistemit bankar, janë edhe adoptimi i standardeve “Bazel III” dhe të akteve zbatuese të tyre në Bashkimin Europian. Këto masa synojnë forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar për përballimin e goditjeve, duke mundësuar që bankat të vazhdojnë të financojnë aktivitetin ekonomik dhe rritjen.
Gjithashtu, një objektiv i rëndësishëm është sigurimi i ekuivalencës dhe përshtatja e mëtejshme e kuadrit ligjor dhe nënligjor me legjislacionin europian.
Strategjia parashikon edhe hartimin e instrumenteve metodologjike dhe operacionale për një kalibrim më të mirë të kërkesave për kapital të diferencuar, në përputhje me profilin e rrezikut të çdo banke. Metodologjitë e reja do të zbatohen paralelisht me ato ekzistuese gjatë një periudhe kalimtare.
Banka e Shqipërisë synon përmirësimin e cilësisë së drejtimit, si dhe rritjen e rolit dhe pavarësisë së strukturave për administrimin e rreziqeve dhe të funksioneve të kontrollit të brendshëm.
Ndër prioritetet tjera janë:
- Monitorimi i kujdesshëm i rrezikut të kredisë dhe cilësisë së aktiveve, veçanërisht i ekspozimeve të ndjeshme ndaj zhvillimeve makroekonomike.
- Provigjionimi dhe klasifikimi i ekspozimeve në sektorë vulnerabël.
Strategjia parasheh gjithashtu shkëmbimin e informacionit dhe ndërmarrjen e ekzaminimeve të përbashkëta me autoritete të ndryshme brenda vendit (Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare) dhe autoritete të huaja. Gjithashtu, do të rritet pjesëmarrja në kolegjet mbikëqyrëse të grupeve të rëndësishme bankare evropiane dhe do të lidhen marrëveshje bashkëpunimi me banka të tjera qendrore.
Edhe në strategjinë e radhës parashikohet rishikimi i procesit të raportimit të pasqyrave financiare të bankave sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), për qëllime të raportimit prudencial, duke ruajtur parametrat mbikëqyrës dhe serinë kohore të të dhënave të raportuara.
Një objektiv tjetër është edhe integrimi i faktorëve ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në procesin mbikëqyrës. Kjo përfshin edhe vlerësimin e ndikimit të rreziqeve financiare të lidhura me klimën dhe mjedisin në bilancet e bankave.
Strategjia parashikon gjithashtu ndërmarrjen e iniciativave për të garantuar interesat e konsumatorëve dhe për të rritur besimin në sistemin financiar, përmes rregullimit efektiv dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucione të tjera shtetërore.
Objektiv i strategjisë është edhe rishikimi periodik i cilësisë së kontrolleve të bankave për vlerësimin e ekspozimit ndaj rrezikut kibernetik. Ky objektiv përfshin vlerësimin e adoptimit të teknologjisë digjitale, veçanërisht në drejtim të mbështetjes në palë të treta, vlerësimin e rezistencës së subjekteve ndaj sulmeve kibernetike dhe monitorimin e përshtatjes së sistemeve të bankës me integrimin e inteligjencës artificiale.
