“`html
Bankat lehtësuan standardet e kreditimit për individët në tremujorin e dytë
Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e dytë të vitit 2026. Sipas vëzhgimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, kjo prirje ishte në përputhje me pritjet e bankave të shprehura një tremujor më parë.
Lehtësimi i standardeve u raportua si për kreditë e destinuara blerjes së banesave, ashtu edhe për ato të financimit të konsumit. Ky lehtësim u arrit falë konkurrencës në sistemin bankar dhe një tolerance më të lartë nga ana e bankave ndaj marrjes përsipër të rrezikut.
Edhe shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rritje në tremujorin e dytë. Sipas bankave, kjo rritje u nxit nga historiku i marrëdhënieve të klientëve me bankën. Nga ana tjetër, historiku nga të dhënat e Regjistrit të Kredive dhe të ardhurat e disponueshme u raportuan si faktorë me ndikim rënës në shkallën e miratimeve për kredi. Faktorët e tjerë patën ndryshime minimale.
Paralelisht, edhe kërkesa e individëve për kredi u raportua në rritje në tremujorin e dytë, në përputhje me pritjet e bankave për këtë periudhë. Kërkesë e lartë u raportua si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore.
Bankat raportuan se kërkesa më e lartë për kredi u nxit nga:
- Nevojat e shtuara për financimin e blerjes së banesave dhe financimit të konsumit.
- Perceptimi i bankave mbi situatën aktuale dhe atë të pritur në tregun e banesave.
- Besimi konsumator.
- Niveli i përgjithshëm i normave të interesit.
Ligji në fuqi për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme u cilësua gjithashtu si një faktor nxitës në kërkesën për kredi. Faktorët e tjerë patën ndikime minimale.
Standardet e kreditimit për individët në tremujorin e tretë priten të lehtësohen, si për kreditë e blerjes së banesave, ashtu edhe për ato konsumatorë.
Të dhënat e vëzhgimit të aktivitetit kreditues përputhen me një ecuri më të përmirësuar të kreditimit të individëve gjatë tremujorit të dytë të vitit. Pas një tremujori të parë në rënie, kredia për individë i është kthyer rritjes në periudhën prill-maj.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi disa masa shtrënguese me qëllim ngadalësimin e rritjes së kreditimit në segmentin e huasë për blerje banesash. Deri në fund të vitit të kaluar, efekti i masave të Bankës së Shqipërisë duket se ishte i dobët. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re për blerje banesash arriti një rekord historik prej 64.4 miliardë lekësh ose rreth 658 milionë eurosh, të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar. Kredia e re për shtëpi u rrit me 17.3% krahasuar me vitin 2024, një rritje më e lartë se ajo prej 13% e vitit të mëparshëm.
Megjithatë, pjesa e parë e këtij viti ka treguar një ngadalësim të ndjeshëm. Për 5-mujorin janar-maj 2026, kredia e re për banesa zbriti në 27.6 miliardë lekë, duke shënuar një rënie me 4.2% krahasuar me një vit më parë. Tendenca e kredisë është në përmirësim pas tremujorit të dytë dhe mbetet për t’u parë nëse ky vit do të shënojë një frenim të kredisë për shtëpi.
“`
