Grupet bankare parashikojnë rritje në rajonin e Europës Qendrore dhe Juglindore
Grupet bankare ndërkombëtare e shohin Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore si një treg me potencial për rritje afatgjatë. Një anketim i kryer nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) tregon se tre të katërtat e grupeve bankare që operojnë në këto rajone planifikojnë të zgjerohen, ndërkohë që asnjëra nuk ka ndërmend të zvogëlojë praninë e saj.
Shumica e bankave mëmë në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore kanë ruajtur ose rritur ekspozimin e tyre në rajon gjatë gjashtë muajve të fundit. Duke pasur parasysh strategjitë e tyre afatgjata, bankat mëmë vazhdojnë të favorizojnë zgjerimin.
Grupet bankare në fjalë vlerësojnë potencialin e tregut si veçanërisht të lartë në Çeki, Rumani dhe Sllovaki, ndërsa e shohin këtë potencial si më të moderuar në Ballkanin Perëndimor. Ato gjithashtu raportojnë një rentabilitet më të lartë në rajon krahasuar me operacionet e përgjithshme të grupit, veçanërisht për Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Çekinë, Hungarinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Sipas anketimit, kërkesa për kredi pritet të mbetet e fortë në rajon, ndërsa kushtet për dhënien e kredisë pritet të lehtësohen pak në muajt në vijim. Në gjysmën e dytë të vitit, kërkesa për kredi pritet të mbetet e fortë si për bizneset, ashtu edhe për familjet.
Kërkesa për kredi ka qenë e fortë në vitet e fundit, e nxitur kryesisht nga klientët individualë. Në të kundërt, oferta për kredi në rajon ka qenë më e zbehtë, pavarësisht disa shenjave të përmirësimit në vitin 2024, dhe ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit.
Qasja në financim për degët lokale mbetet e favorshme dhe është përmirësuar gjatë gjashtë muajve të fundit, e mbështetur nga depozitat më të larta të shitjes me pakicë dhe të korporatave.
Cilësia e kredisë është përmirësuar përsëri gjatë gjashtë muajve të fundit, me më pak kredi me probleme. Megjithatë, bankat presin një përkeqësim të cilësisë së kredisë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm për sektorin e shitjes me pakicë dhe të korporatave.
Analiza e anketës së EIB nënvizon se shqetësime të ngjashme, të shprehura në vitet e mëparshme nga bankat e anketuara, në fakt nuk janë materializuar.
Në vitet e fundit, tregjet e Europës Qendrore dhe Juglindore po rifitojnë vëmendje nga grupet e rëndësishme bankare europiane. Pas një procesi daljeje të shumë aktorëve të rëndësishëm në vijim të krizës së vitit 2008, duket se konsolidimi dhe përmirësimi i tregut bankar në këto vende po i bën ato gradualisht përsëri tërheqëse. Shumica e grupeve bankare po tentojnë t’i kthehen rritjes organike, por ndërkohë po shfaqen të interesuara edhe për blerje të reja, me qëllim për të rritur peshën e tyre në treg dhe efikasitetin.
