ARRSH hap tenderin prej 14.5 milionë euro për Lotin 3 të rrugës Tiranë–Ndroq–Plepa
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka nisur procedurën e prokurimit për projektin “Rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 3”. Projekti ka një fond limit prej 1,36 miliardë lekësh pa TVSH, ose rreth 14.5 milionë euro pa TVSH.
Kjo procedurë përfaqëson fazën e tretë të investimit, pasi dy lotet e para të kësaj rruge janë tashmë të prokuruara dhe janë në proces zbatimi.
Projekti është pjesë e rikonstruksionit të përgjithshëm të aksit Tiranë – Ndroq – Plepa. Kjo rrugë kombëtare, e ndërtuar disa dekada më parë, ka shërbyer tradicionalisht si një lidhje kryesore mes Tiranës dhe jugut të vendit.
Sipas dokumentacionit teknik të ARRSH-së, infrastruktura ekzistuese, duke përfshirë urat dhe veprat e artit, reflekton standardet dhe teknologjinë e periudhës së ndërtimit. Rruga ka një gjerësi rreth 7 metra dhe paraqet dëmtime të konsiderueshme në shtresat asfaltike, deformime të trupit të rrugës, kthesa me rreze të vogla në disa segmente, si dhe zona problematike me rrëshqitje dhe kalime nëpër zona të banuara.
Gjithashtu, disa ura kanë pasur ndërhyrje të pjesshme ndër vite, ndërsa mbivendosja e shtresave asfaltike pa skarifikim ka ndryshuar nivelet e karrexhatës.
ARRSH thekson se degradimi i këtij aksi ka sjellë uljen e trafikut që e përdor atë, duke drejtuar një pjesë të lëvizjes drejt autostradës Tiranë–Durrës. Aktualisht, edhe kjo autostradë po i nënshtrohet punimeve për zgjerimin e kapacitetit.
Fakti që dy itinerare të rëndësishme që lidhin Tiranën me Durrësin dhe me jugun e vendit janë njëkohësisht në proces punimesh mund të shkaktojë vështirësi të përkohshme në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të shtuar trafiku.
