Asetet e sektorit bankar shqiptar kalojnë vlerën e 25 miliardë eurove
Sektori bankar vijoi rritjen me ritme të larta edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave paraprake dhe të paaudituara të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), totali i aktiveve të sistemit bankar në mesin e vitit arriti në 2.38 trilionë lekë, ose rreth 25.3 miliardë euro.
Kjo shifër përbën një rritje prej 3.7% (rreth 85 miliardë lekë) që nga fillimi i vitit dhe 10% (218 miliardë lekë) krahasuar me mesin e vitit të kaluar.
Renditja e bankave sipas vlerës së aseteve:
- Banka Kombëtare Tregtare (BKT) mbetet banka më e madhe për nga vlera e aseteve, duke zotëruar 24.6% të tregut. Pjesa e saj e tregut u rrit nga 23.9% në vitin e kaluar. Edhe pse në vitet e fundit ka pasur një tendencë rënëse, gjysma e parë e vitit 2026 duket se ka përmbysur këtë trend, duke bërë që banka më e madhe në vend të rifitojë terren në ndarjen e përgjithshme të tregut.
- Credins Bank renditet e dyta, me 16.7% të aktiveve, duke shënuar një rritje të lehtë nga 16.6% që kishte një vit më parë.
- Raiffeisen Bank mban vendin e tretë, me 14.4% të tregut. Megjithatë, kjo bankë ka pësuar një rënie të pjesës së tregut nga 14.7% që zotëronte një vit më parë.
- Intesa Sanpaolo vazhdon trendin disavjeçar rënës, duke zbritur në 9% të aseteve totale, nga 9.9% që kishte një vit më parë.
- OTP Albania Bank vijon me 8.7% të aktiveve, duke shënuar gjithashtu një rënie nga 8.9% që zotëronte një vit më parë.
- Tirana Bank shquhet për rritjen më të lartë të pjesës së tregut edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Banka e grupit Balfin arriti në 8.1% të totalit të aktiveve, nga 7.6% që kishte në mesin e vitit 2025.
- Banka Amerikane e Investimeve (ABI) zotëron 6.8% të tregut, duke shënuar një rënie të vogël nga 6.7% që kishte një vit më parë.
- Union Bank ruan një pjesë tregu të qëndrueshme, me 5.2% të totalit të aktiveve.
- Banka e Parë e Investimeve (Fibank) ka 3.2% të aktiveve, në rritje nga 3% që kishte një vit më parë.
- ProCredit Bank Albania zotëron 2.4% të aktiveve, duke ruajtur nivelin e mesit të vitit 2025.
- Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) mbyll renditjen me 1% të tregut, duke shënuar një rënie nga 1.1% që kishte një vit më parë.
Gjithashtu, 6-mujori i parë i vitit 2025 konfirmoi një tendencë të mëtejshme të rritjes së tregut të bankave me kapital vendas dhe rënien e atyre me kapital të huaj. Bankat me kapital vendas arritën në 37.8% të aktiveve totale të tregut, nga 37.2% që mbanin një vit më parë.
Vazhdon rritja dyshifrore e kredisë
Rritja e aktiveve të sektorit u mbështet kryesisht në zgjerimin e investimeve në instrumente financiare, por edhe në vijimësinë e rritjes së shpejtë të kreditimit. Investimet në letra me vlerë arritën në 932 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.4%. Këto investime përfshijnë titujt e borxhit të qeverisë shqiptare në Lekë dhe Euro, si dhe instrumentet financiare në valutë të huaj të subjekteve jorezidente në Shqipëri.
Ndërkohë, portofoli i kredisë arriti vlerën e 985 miliardë lekëve, duke u rritur me 6.4% (rreth 59 miliardë lekë) që nga fillimi i vitit dhe me 12.6% (110 miliardë lekë) krahasuar me një vit më parë. Shifrat sipas standardeve IFRS konfirmojnë se rritja e kreditimit është pranë niveleve më të larta të 17 viteve të fundit.
Renditja e bankave sipas portofolit të kredisë:
- Credins Bank kryeson tregun e kredisë, me 17.8% të portofolit total të sektorit (në rënie nga 18.1% një vit më parë).
- Raiffeisen Bank vjen e dyta, me 15.3% (nga 15.7% një vit më parë).
- BKT zotëron 13.9% (nga 13.1% në mesin e vitit 2025).
- OTP Albania Bank ka 12.9% (nga 13.1% një vit më parë).
- Tirana Bank zotëron 10.1% (nga 9.5% një vit më parë).
- ABI Bank ka 7.1% (nga 7.5% një vit më parë).
- Intesa Sanpaolo ka gjithashtu 7.1% (nga 7% një vit më parë).
- Union Bank ka 6.5% (nga 6.3% një vit më parë).
- Fibank ka 4.1% (nga 3.9% një vit më parë).
- ProCredit Bank ka 3.9% (nga 4% një vit më parë).
- UBA mbyll renditjen me 1.3% (nga 1.7% një vit më parë).
