Banorët e Spitallës protestojnë për rrugën: Erdhën, hodhën ca zhavorr e ikën!
Banorët e një lagjeje në Spitallë, Durrës, janë ngritur në protestë për shkak të problemeve të shumta lidhur me projektimin dhe zbatimin e rrugës së re. Sipas tyre, rruga po ndërtohet pa një projekt të qartë. Trotuaret janë vetëm 30 centimetra të gjerë, ndërsa shtyllat elektrike janë vendosur në mes të tyre. Kanalizimet janë mbyllur, duke shkaktuar përmbytje.
Qytetarët u shprehën për mediat se kjo është hera e dytë që protestojnë dhe se ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Ata theksojnë se rruga është përkeqësuar në krahasim me gjendjen e mëparshme.
Një banor u shpreh: “Rruga është ngushtuar edhe si asfalt. Kërkojmë rrugë dhe ndriçim. Kjo është hera e dytë që dalim. Kryetarja e bashkisë duhet ta dijë që ne paguajmë taksa. Këtu nuk ka as gjelbërim, as ndriçim, as kazanë mbeturinash. Po na vjedhin. Nuk ka as kazan mbeturinash. Ndriçimi ndërrohet një herë në katër vjet. Vijnë vetëm një herë në katër vjet. Nuk vjen njeri ta shohim.”
Një tjetër banor shtoi: “Problemi është se duke qenë pjesë e interesit, nuk jemi pyetur se si do zhvillohet kjo rrugë. Nuk na është paraqitur një projekt fillestar i kësaj rruge. Nuk është bërë asnjë sqarim. Filluan njëherë, i vunë tubat, i hoqën se dikush e ngriti zërin. Bëmë një protestë dhe u hoqën disa tuba. Sa ranë në qetësi, vazhduan të njëjtën gjë. Nuk e di që të ketë trotuar 20 cm. Është më keq sesa ka qenë. Rruga është ngritur mbi nivel, nuk është gërmuar siç duhet, dhe gjithë ujërat do të shkojnë nëpër shtëpitë e njerëzve. Kjo situatë, që sot duket si një kartolinë në Durrës, do të përsëritet më shumë nesër e pasnesër.”
Deputeti i PD-së, Igli Cara, theksoi se shqetësimet e banorëve janë dëgjuar dhe do të kërkohen dokumentacionet e nevojshme. Ai paralajmëroi se do të bëhet kallëzim në organet e drejtësisë.
“Po bëhet një rrugë dhe jo më shumë se disa ditë më parë, kemi parë edhe efektet e ndërtimit të rrugëve. Banorët na thonë se tombinat nuk janë vendosur aty ku duhet, niveli i rrugës dhe kuota është mbi shtëpi, duke kuptuar që sa herë të ketë shi do të ketë përmbytje, dëme dhe rrezik. Një rrugë ku nuk ka trotuar, ku rrezikohet jeta çdo ditë, më mirë mos ta bëjnë investimin. Jemi dëshmitarë prej kohësh, kërkojmë edhe komisione hetimore për projektet që janë bërë në qytetin e Durrësit. Po kërkojmë pajisje me dokumentacione dhe më pas do të vijojmë me hapat e mëtejshëm, në prokurori e SPAK. Ky fenomen, përveçse është moral, është edhe ligjor. Prandaj vjen një moment dhe thua ‘stop’, se nuk ka kuptim. Në çdo rrugë që është projektuar për Durrësin, gjithmonë ka këto probleme, ku nuk janë llogaritur përmbytjet, ku do kalojnë fëmijët etj. Nuk është më punë partish, por morali njerëzor,” shtoi deputeti.
Iliriana Kucana tha se trotuaret kushtojnë sa tre shishe verë dhe paralajmëroi se do të çojnë projektin në SPAK, duke kërkuar përgjegjësi nga autorët e tij.
“Kam marrë një telefonatë dhe erdhëm pranë banorëve, sepse kjo është detyra jonë. Shqetësimi i tyre është i drejtë, nuk kalojnë dot as fëmijët, as qytetarët për punët e përditshme. Fasada dhe propaganda politike duhet të marrë fund. Të jemi seriozë me investimet. Nuk duhet të tallen me taksat e durrsakëve. Ky trotuar nuk kushton aq shumë. Tre shishe verë të Gys Agasit me Emirjana Sakon dhe Ramën,” tha ajo.
Në këtë lagje jetojnë rreth 300 familje dhe lëvizja e automjeteve vë në rrezik jetën e fëmijëve. Banorët kanë kërkuar urgjentisht nga institucionet t’iu bëhet një zgjidhje, ose në të kundërtën do të vazhdojnë me protesta edhe më masive.
