Bardhi kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut pas provave të reja

Provat e reja të SPAK: Bardhi kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Reagimi i Bardhit vjen pas të dhënave të reja të bëra publike nga Prokuroria e Posaçme, lidhur me një vilë të sekuestruar në kompleksin “Green Coast”, në Palasë. Kjo vilë dyshohet se është në pronësi faktike të Ballukut, por rezulton e regjistruar në emër të Igli Tares.

Në reagimin e tij, Bardhi ngre pikëpyetje mbi masat e ndërmarra deri më tani nga SPAK dhe kërkon që Prokuroria e Posaçme t’i drejtohet sërish Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të Ballukut. Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, një veprim i tillë do t’i hapte rrugë vijimit të procedurave ligjore ndaj ish-zëvendëskryeministres, në kuadër të hetimit të nisur nga SPAK.

Postimi i plotë i Bardhit:

“Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut, në mënyrë që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj?

Sot, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar përsëri. SPAK e ka marrë të pandehur edhe për 3 akuza të reja:

  • Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
  • Fshehje ose mosdeklarim të pasurisë.
  • Pastrim të produkteve të veprës penale, në rrethana cilësuese.

Të treja këto i shtohen akuzës së mëparshme:

  • Për shkelje të barazisë në tendera, që përfshin 8 procedura tenderimi.

Siç kisha paralajmëruar shumë muaj më parë, SPAK, më në fund, e gjeti edhe vilën e dytë dhe gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e vilës në Palasë, të cilën Belinda Balluku ia ka marrë Arbër Abazit të Aeroportit të Vlorës dhe, njësoj si vila nr.1, e ka vënë sërish në emrin e Igli Tares.

Media ka raportuar se janë 300 vila të tilla, në çdo resort të ndërtuar në vend. Do të duhet që të zbulohen të 300-a përpara se SPAK-u të zbatojë ligjin dhe të respektojë standardin e deklaruar dhe të zbatuar dhjetorin e kaluar nga vetë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme?

Zoti Braho ka deklaruar në Kuvend se, “kur rëndohet pozita penale e një të pandehuri, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit ndaj tij.” Bashkë me këtë të sotmen, pozita penale e Belinda Ballukut është rënduar jo 1 herë, por 4 herë, me akuzat më të rënda penale që një zyrtar mund të ketë në lidhje me veprat e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Atëherë, pse nuk i drejtohet SPAK Kuvendit për heqjen e imunitetit? Peshorja e drejtësisë nuk duhet të anojë më nga interesi politik i Edi Ramës! Çdo ditë vonesë është përpjekje për të lehtësuar pozitën e Belinda Ballukut dhe për të mbrojtur korrupsionin e saj dhe të Edi Ramës.”

Scroll to Top