Policia e Fierit ka zbuluar një bazë kriminale armatimesh pas një hetimi të nisur nga një denoncim i marrë nga një emision investigativ. Gazetarët kishin informuar policinë për një shtetas që posedonte armë zjarri pa leje.
Pas hetimeve, policia ka arrestuar një shtetas me iniciale M. R., 38 vjeç, ndërsa ai lëvizte me automjet. Gjatë kontrollit të mjetit, u gjet një armë zjarri pistoletë pa leje dhe një shumë prej 3,500 eurosh, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të paligjshme.
Hetimet e mëtejshme çuan në zbulimin e një banese të pabanuar në të njëjtën lagje. Kjo banesë dyshohet se përdorej nga 38-vjeçari si bazë për magazinimin dhe shpërndarjen e armëve dhe municioneve për llogari të grupeve kriminale.
Gjatë kontrollit në këtë ambient, u sekuestruan:
- 10 armë zjarri automatikë, 3 prej të cilëve të modifikuar me shënjestër optike dhe me filetim për silenciator.
- 1 pistoletë dhe 1 pistoletë automatike.
- 2 silenciatorë.
- 9 karikatorë automatikësh.
- 3 karikatorë pushke.
- 2 krehëra pistolete.
- Sasi të konsiderueshme fishekësh, të kalibrave të ndryshëm.