“`html
Banka Botërore sugjeron uljen e kontributit vullnetar për të zgjeruar pjesëmarrjen
Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve, si ata që jetojnë brenda vendit ashtu edhe ata që ndodhen jashtë tij, nuk marrin pjesë në skemën vullnetare të pensioneve për shkak të pagesave të larta, të cilat rriten sa herë ndryshon paga minimale.
Sipas legjislacionit aktual të sigurimeve, niveli minimal i kontributit vullnetar është 21.6% e pagës minimale. Gjithashtu, përfitimi i pensionit kërkon të paktën 15 vite kontribute.
Shumica e kontribuuesve në skemën vullnetare zgjedhin pagesën minimale, e cila rritet me çdo rritje të pagës minimale në ekonomi. Rritjet e shpeshta dhe shpesh të paparashikueshme të pagës minimale në vitet e fundit në Shqipëri e bëjnë të vështirë vazhdimin e kontributeve për emigrantët me të ardhura të paqëndrueshme ose të parregullta.
Këtë e sugjeron Banka Botërore në studimin e saj më të fundit, me titull “Përmirësimi i Sigurimeve Shoqërore për Emigrantët: Mësime nga Shqipëria”.
“Në këtë kontekst, një analizë mbi aftësinë për të kursyer ose gatishmërinë për të kontribuar do të ndihmonte për të kuptuar nëse ndryshimet në nivelin minimal të kontributit ose në rregullat e përfitimit të të drejtës pensionale do të rrisnin përfshirjen e migrantëve, si dhe të grupeve të tjera të cenueshme në shoqëri,” thekson Banka Botërore.
Banka Botërore po asiston qeverinë shqiptare për të reformuar skemën publike të pensioneve, në përputhje me zhvillimet aktuale demografike.
Për më tepër, Banka ka kërkuar që të investohet më shumë në digjitalizimin e proceseve të pagesës së kontributeve, veçanërisht për emigrantët.
Për pagesën e kontributeve vullnetare, aktualisht kërkohet paraqitje fizike një herë në vit pranë zyrave të ISSH-së dhe bankave të lidhura me të. Ky proces krijon pengesa burokratike të panevojshme për emigrantët, edhe pse ekziston mundësia e përfaqësimit nga familjarët, sipas Bankës.
Reformat digjitale, siç janë përmes portalit e-Albania ose një aplikacioni celular, mund të rrisin pjesëmarrjen duke eliminuar nevojën për regjistrim dhe pagesa fizike.
Zgjerimi i opsioneve të pagesave ndërkufitare, nëpërmjet partneriteteve me banka, përfshirë ato në vendet kryesore të destinacionit të emigrantëve, do të mundësonte kontribute në distancë. Kjo do të adresonte shqetësimet e emigrantëve dhe do të rriste përfitimet.
Duke integruar mekanizma digjitalë, Skema Vullnetare mund të transformohet në një skemë më të aksesueshme dhe miqësore për përdoruesit.
Për këtë qëllim, thekson Banka, është e domosdoshme thjeshtimi i proceseve institucionale, siç demonstrohet nga modeli i Francës. Ky model ofron një pikë të vetme aksesimi, kontribute të automatizuara dhe ndjekje transparente të përfitimeve për qytetarët jashtë vendit.
“`
