BE bllokon mallrat nga territoret e pushtuara të Izraelit

Goditje ekonomike ndaj Izraelit: BE përgatitet të bllokojë mallrat nga territoret e pushtuara, zbardhet prapaskena

Komisioni Evropian pritet të paraqesë së shpejti opsione konkrete për kufizimin e importeve të mallrave që vijnë nga vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara palestineze. Ky lajm është konfirmuar për mediet ndërkombëtare nga pesë burime diplomatike, të cilët kanë kërkuar të mbeten anonimë. Ata kanë sqaruar se propozimi do të jetë gati para takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, i cili do të mbahet më 13 korrik.

Pas një bllokimi që ka zgjatur muaj të tërë, ekzekutivi i BE-së është dorëzuar përpara presionit të vazhdueshëm të shumicës së qeverive evropiane për të ndikuar në tregtinë me këto vendbanime, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe një opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi: “Shumë shtete anëtare kërkuan propozime nga Komisioni. Unë do t’i kërkoj atij të përgatisë një listë opsionesh për masa të mundshme tregtare, duke përfshirë ato që synojnë parandalimin e importit të mallrave me origjinë nga vendbanimet e paligjshme.”

Skandali me etiketimin: Mallrat palestineze hyjnë në BE si “Made in Israel”

Alarmi është shtuar pas një raporti të fundit që sugjeron se produktet bujqësore të prodhuara në territoret e pushtuara hyjnë në tregun e BE-së duke u etiketuar gabimisht si mallra të ligjshme izraelite. Kjo praktikë u ka mundësuar atyre përfitimin e uljeve tarifore.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se këto mangësi po studiohen me kujdes dhe se do të ndërmerren veprime nëse vërtetohet mashtrimi, pasi marrëveshjet preferenciale i takojnë vetëm produkteve me origjinë të pastër nga Izraeli.

Scroll to Top