BE duhet të ndërhyjë kundër bullizimit ligjor të gazetarëve

Flutura Kusari: BE-ja duhet të ndërhyjë për të ndaluar bullizimin ligjor të gazetarëve në Ballkan

Të ashtuquajturat SLAPP – Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike – janë një fenomen në rritje me një qëllim të qartë: ndalimin e gazetarëve nga ushtrimi i misionit të tyre për të kërkuar llogari ndaj të pushtetshmëve. Kështu shprehet Flutura Kusari, këshilltare e lartë ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF).

Rastet SLAPP janë përpjekje ligjore kërcënuese që synojnë të heshtin mbulimin e padëshiruar mediatik, tha Kusari për BIRN gjatë Samitit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias 2025 në Bruksel.

“SLAPP-et janë pretendime të pabaza, zakonisht në formën e padive të ngritura kundër gazetarëve me qëllimin e vetëm për t’i intimiduar ata. Nuk bëhet fjalë për raste ku dikush ndjehet realisht i dëmtuar dhe dëshiron të ushtrojë të drejtat e veta ligjore”, shpjegon ajo. “Ato nuk kanë shanse për t’u fituar në gjykatë; qëllimi i vetëm është t’i zvarrisin gazetarët në procese të gjata, t’i detyrojnë ata të shpenzojnë para për tarifa ligjore dhe, në fund, t’i mbajnë larg asaj që ata supozohet të bëjnë: gazetarisë.”

Një raport i grupit advokues “Koalicioni Kundër SLAPP-eve në Evropë” përshkruan Serbinë si një nga vendet më problematike në Ballkan sa i përket numrit të këtyre padive. Ndër to janë dy padi të ngritura nga kryetari i bashkisë së Beogradit, Aleksandar Sapic, kundër BIRN Serbisë, redaktorit dhe gazetarëve saj, duke pretenduar se raportimet e tyre kanë dëmtuar reputacionin e tij dhe i kanë shkaktuar atij “vuajtje mendore”. Shefi i kabinetit të Sapicit gjithashtu ka ngritur padi kundër BIRN Serbisë.

Koalicioni Kundër SLAPP-eve në Evropë thotë se një numër i konsiderueshëm padish të tilla janë ngritur edhe në Rumani dhe Turqi. Ndërkohë, Kusari përmend shembullin e gazetarit shqiptar Isa Myzyraj, i cili po paditet nga një ish-prokurore e Prokurorisë së Tiranës.

“Janë zhvilluar 32 seanca në tre vitet e fundit dhe çështja ende nuk ka filluar. Ky është një shembull tipik se si duket një SLAPP në rajon”, thotë ajo.

“Nuk ka mjaftueshëm presion nga Evropa”

Kusari, një juriste me përvojë në fushën e medias dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, është pjesë e ECPMF-së prej rreth një dekade. Ajo drejton Programin e Mbështetjes Ligjore dhe advokon para institucioneve evropiane për legjislacion më të fortë në mbrojtje të lirisë së medias. Ajo ka ofruar gjithashtu ndihmë ligjore për organizata me bazë në Ballkan, përfshirë BIRN-in, me të cilin ka punuar si këshilltare ligjore për katër vjet.

Kusari argumenton se legjislacioni i BE-së dhe presioni evropian janë jashtëzakonisht të rëndësishëm kur bëhet fjalë për rastet SLAPP në Ballkan. “Në nivel evropian, tani kemi disa instrumente: një rekomandim të Këshillit të Evropës, një direktivë të BE-së dhe një rekomandim të Komisionit Evropian. Të gjitha shtetet anëtare, përfshirë edhe vendet aspiruese si tonat (në Ballkan), duhet të miratojnë ligje që zbatojnë këto direktiva”, thotë ajo.

Megjithatë, për momentin, ajo shprehet me keqardhje se pothuajse nuk ka asnjë nismë të vërtetë ligjore në Ballkan drejt trajtimit të çështjes së SLAPP-eve. “Kur bëhet fjalë për legjislacionin mbi lirinë e medias dhe të drejtat e njeriut, nuk ka mjaftueshëm presion nga institucionet evropiane, dhe kur nuk ka presion, nuk ndodh asgjë”, thotë ajo.

“Nuk di për ndonjë nismë politike domethënëse për të luftuar SLAPP-et. Përkundrazi, shumë aktorë politikë po propozojnë ligje që do ta kufizonin në vend që ta mbronin lirinë e medias”, shton ajo. Ajo vëren se në Kosovë ka “përparim të mirë në aspektin e diskutimit” të çështjes, por shumë më pak në pjesët e tjera të rajonit.

Një tjetër problem, sipas Kusarit, është mungesa e të dhënave mbi SLAPP-et në Ballkan: “Personalisht, nuk njoh asnjë organizatë, përveç në Serbi, që kryen monitorim të rregullt të SLAPP-eve.” Ajo e lidh këtë kryesisht me mungesën e burimeve. “Për të ditur sa SLAPP-e ekzistojnë, duhet të kesh qasje në padi dhe një vlerësim të pavarur të bazuar në treguesit dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës. Pra, të dhënat mungojnë”, thotë ajo. “Kjo është konfirmuar gjithashtu nga Komisioni Evropian në raportet e vitit të kaluar për progresin e vendeve aspirante. Për shembull, në Kosovë, raporti përmend mungesën e të dhënave.”

“Censura sistemike” turke shkon përtej SLAPP-ve

Ndërkohë, mediat dhe gazetarët në Turqi po përballen me një numër gjithnjë e më të madh procesesh gjyqësore. Shumica përfundojnë pa pasoja për gazetarët e synuar. Megjithatë, ato dërgojnë një mesazh të fortë intimidimi dhe ka të ngjarë të çojnë në vetëcensurë.

Një raport për vitin 2024 i përgatitur nga Utku Cakirozer, një anëtar i parlamentit turk me përvojë në gazetari, tha se gazetarët u paraqitën para gjykatave 720 herë atë vit; 74 gazetarë u ndaluan dhe 14 u arrestuan. Të paktën 35 gazetarë u përballën me hetime dhe padi të reja. Shoqata për Studime të Medias dhe Ligjit, MLSA, një OJQ turke, thotë se vetëm në korrik 2025 22 gazetarë u gjykuan dhe morën gjithsej 14 vjet e pesë muaj dënime me burg.

Kusari paralajmëron se SLAPP-et nuk janë problemi më i madh me të cilin përballen gazetarët në Turqi. “Duhet të bëjmë një dallim të qartë midis censurës shtetërore në format e saj të ndryshme dhe SLAPP-ve. Në fakt, do t’i bënim qeverisë turke një nder duke i quajtur të gjitha veprimet e saj represive ‘SLAPP’-e”, thotë ajo. “Ajo që shohim në Turqi është censurë sistemike që është ushtruar me mjete të ndryshme për shumë vite tani. Është shumë më e dëmshme sesa të kesh disa SLAPP-e këtu e atje.”

Një problem tjetër në Turqi, vazhdon Kusari, është se është shumë e vështirë të dallohen rastet e ndryshme, sepse politika dhe interesat e biznesit janë të ndërlidhura ngushtë. “Kur analizojmë strukturat dhe çekuilibrat e pushtetit, gjithçka bëhet shumë kompekse. Kjo lidhet sërish me mungesën e nismave të shoqërisë civile për të dokumentuar SLAPP-et. Nuk besoj se kemi shumë të dhëna në Turqi për numrin e vërtet të tyre”, vëren ajo.

Kusari këmbëngul se, përballë rritjes së çështjeve gjyqësore kundër gazetarëve, solidariteti është jetik. “Në përvojën time të monitorimit të rasteve në të gjithë Evropën Juglindore, vetmia që ndiejnë gazetarët kur shkojnë në gjykatë është shpesh më e rëndë se vetë padia. Sa herë që kryeredaktorët, kolegët ose përfaqësuesit e shoqërisë civile mund të marrin pjesë në seanca dhe të ulen pranë gazetarit, kjo ndihmon jashtëzakonisht shumë”, thotë Kusari.

Kusari përmend gjithashtu programin e mbështetjes së ECPMF-së, i cili është një nga programet e pakta mbështetëse për gazetarët e goditur nga rastet SLAPP. “Shumë organizata nuk kanë burime të mjaftueshme për të mbështetur gazetarët. Në ECPMF, ne drejtojmë një Program Mbështetjeje Ligjore me një buxhet prej 200,000 eurosh për dy vjet, i hapur për gazetarët nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. I inkurajoj fuqishëm ata që të na kontaktojnë nëse kanë nevojë për ndihmë”, thotë ajo.

Përveç mbështetjes së gazetarëve, Kusari beson se trajnimi i profesionistëve ligjorë është çelësi për ndryshim afatgjatë. “Ne duhet të vazhdojmë të trajnojmë gjyqtarë, avokatë, prokurorë dhe oficerë policie mbi SLAPP-et dhe çështjet e lirisë së medias. Këshilli i Evropës ka drejtuar një projekt të tillë për rreth dhjetë vjet tani. Është një shembull i shkëlqyer se si të ndërtohen kapacitete të qëndrueshme përmes moduleve të duhura dhe bashkëpunimit me akademitë gjyqësore”, përfundon ajo.

Scroll to Top