BE heq disa masa ndaj Kosovës, lirime fondesh

BE nis heqjen e disa masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian ka filluar procesin e heqjes së disa masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023. Ky hap ka sjellë lirimin e fondeve për disa projekte, megjithatë, shumë të tjera mbeten ende të bllokuara.

Lajmin e bëri të ditur Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, pas marrjes së një letre zyrtare nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Gert Jan Koopman.

Sipas letrës së publikuar nga Bislimi, janë liruar mjetet financiare për katër projekte, si rezultat i asaj që është vlerësuar si “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri” pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Këto projekte, të lidhura me programet IPA, kapin vlerën e 34.6 milionë eurove.

“Bazuar në këto dhe në përputhje me komunikimin e Komisionit për Zgjerimin 2025, kam kënaqësinë t’ju informoj se Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare”, thuhet në letrën e Koopmanit.

Kosova kërkon heqjen e plotë të masave ndëshkuese

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e mirëpret këtë hap të radhës nga ana e BE-së dhe thekson nevojën për heqjen e plotë të masave.

“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, theksoi Bislimi.

Megjithatë, sipas mediave në Prishtinë, Bashkimi Evropian nuk do t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës këtë vit. Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova të paraqesë projektet edhe për përdorimin e fondeve IPA për periudhën 2026–2027, të cilat duhet të miratohen nga Komisioni Evropian dhe të mbështeten nga vendet anëtare.

Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian diskutuan në Bruksel procesin e zgjerimit dhe miratuan konkluzionet përkatëse. Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian, në pjesën dedikuar Kosovës, bën thirrje për përshpejtimin e reformave. Ndër kërkesat e tjera përfshihen zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga Serbia kërkohet të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës dhe të ndërpresë kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kosova ende pas në procesin e integrimit në BE

Kosova mbetet vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim, pavarësisht aplikimit të saj në dhjetor 2022. Për të kërkuar më shumë nga Brukseli, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt kryeqendrës evropiane për të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, në Samit do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit. “Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, theksohet në njoftim.

Në agjendën e Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje lidhur me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat. Liderët do të diskutojnë gjithashtu për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat rajonale e evropiane.

Samiti vjetor BE–Ballkani Perëndimor është bërë një formalitet në vitet e fundit. Draft-deklarata e Samitit, e publikuar pjesërisht nga mediet në Prishtinë, pohon se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bllokun tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar.”

Scroll to Top