BE lufton trafikun e drogës me teknologji të reja

Nga dronët te teknologjia e përparuar, Komisioni Evropian paraqet planin për të luftuar trafikun e drogës

Komisioni Evropian ka prezantuar një paketë legjislative me synim luftimin e trafikut të drogës. Ky fenomen kriminal po ndikon gjithnjë e më shumë në jetën e qytetarëve evropianë, duke u shfaqur në formën e dhunës, korrupsionit, ndotjes së mjedisit dhe shfrytëzimit të ekonomisë ligjore.

Përdorimi i paligjshëm i drogës po rritet ndjeshëm në Bashkimin Evropian, duke arritur në një “pikë krize”, sipas deklaratës së Komisionerit të Çështjeve të Brendshme të BE-së, Magnus Brunner. Ai theksoi se rreth 7,500 persona vdesin çdo vit në Evropë si pasojë e përdorimit të drogës.

Në vitin 2023, 419 tonë kokainë u sekuestruan në të gjithë Evropën, ndërsa 500 laboratorë droge sintetike çmontohen çdo vit. Mbi gjysma e rrjeteve kriminale më kërcënuese janë të përfshira në trafikun e drogës.

Për t’iu kundërvënë këtyre rrjeteve, Komisioni ka prezantuar:

  • Një Strategji të BE-së për Drogën.
  • Një Plan Veprimi kundër trafikimit të drogës me 19 masa kryesore operative.

Ndër prioritetet kryesore përfshihen forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me vendet e treta dhe rritja e bashkëpunimit mes autoriteteve të zbatimit të ligjit, gjyqësorit dhe doganave të shteteve anëtare të BE-së.

Brunner nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përshtatjes së kundërmasave për të qenë në hap me metodat dhe rrugët në zhvillim të përdorura nga rrjetet kriminale. “Trafikantët e drogës përdorin teknologjitë më të fundit dhe për këtë arsye ne duhet të përqendrohemi edhe te inovacioni për t’i mposhtur ata,” tha ai. Ai njoftoi lansimin e “një kampusi inovativ për testimin e teknologjive të përparuara për të ndërprerë trafikimin e drogës” në vitin 2026.

Për këtë qëllim, do të përdoren asete ajrore, imazhe satelitore me rezolucion të lartë dhe dronë, të cilët do të sigurohen nga agjencia evropiane e rojeve kufitare dhe bregdetare, Frontex.

Për të parandaluar krimin dhe për të zvogëluar dhunën e lidhur me drogën tek të rinjtë, Komisioni ka propozuar gjithashtu një platformë në nivel të BE-së që do të lidhë ekspertë nga e gjithë Evropa për të trajtuar rekrutimin online. Gjithashtu, një bazë të dhënash e re për substancat në nivel të BE-së do t’u ndihmojë autoriteteve kombëtare të identifikojnë më mirë drogat e reja.

Roli i Europolit do të jetë thelbësor në forcimin e shkëmbimit të informacioneve inteligjente dhe në koordinimin e hetimeve të përbashkëta, sipas Komisionerit Brunner. “Ne jemi shumë të lidhur [me shtetet anëtare të BE-së] dhe po përpiqemi t’i ndihmojmë ata që ta kryejnë punën,” theksoi ai.

Scroll to Top