Tre detajet që çuan në vrasjen e Mond Mëhallës në Elbasan
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Mond Mëhallës, i njohur edhe si Hyka, në Elbasan. Viktima u qëllua me tre plumba pistolete nga Nevzat Spaho, një person i njohur si “i forti” nga Përrenjasi, duke lënë të vdekur në vend.
Nevzat Spaho njihet nga policia kriminale e Elbasanit si person me rrezikshmëri të lartë. Ai rezulton të jetë dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Vjedhje”, “Shtrëngim me anë të kanosjes për marrje pasurie”, “Mbajtje pa lejë të armëve” dhe një plagosje të kryer brenda burgut të Fierit.
Më tej, Spaho dyshohet se ka pasur kontakte shoqërore me një grup kriminal në Pogradec, disa anëtarë të të cilit janë përndjekur penalisht nga prokuroria e Korçës dhe SPAK.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Mondi Mëhalla dhe ortaku i tij në biznes, Xhino Ago, i kishin dhënë rreth 10 automjete Marselo Aranit, i njohur ndryshe si “Boli”. Ky shkëmbim besohet se ishte pjesë e një marrëveshjeje për një apartament në Tiranë. Megjithatë, për shkak se apartamenti ishte shitur disa herë, u shkaktua një konflikt mes Mond Mëhallës dhe “Boli” Marselo Aranit.
Një javë para vrasjes, Mondi Mëhalla ishte takuar me “Bolin”, duke i kërkuar të prishte marrëveshjen dhe të kthente automjetet, pasi pretendonte se ishte mashtruar. Palët diskutuan mundësinë që makinat të shkëmbeheshin me kokainë, në vend të apartamentit. Debati mes tyre ishte aq i ashpër sa Mondi Mëhalla qëlloi me grushte Marselo Aranitin. Situata u përshkallëzua më tej me kërcënime me jetë nga të dyja palët.
Një javë pas këtyre ngjarjeve, më 30 nëntor 2025, Mondi Mëhalla u vra me armë zjarri në Elbasan. Pak ditë më pas, Marselo Arani dhe shoku i tij, Armando Kola, i njohur si Laçian, u shpallën në kërkim kombëtar.
Duhet kujtuar se Arani ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për shkak të problemeve me Drejtësinë në Elbasan, pasi pronat e tij ishin sekuestruar në kuadër të një hetimi për “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Burime policore bëjnë të ditur se Arani dhe Armando Hyka (Mëhalla) dyshohet se kanë kontraktuar si vrasës me pagesë Nevzat Spahon, i cili besohet të jetë personi që qëlloi Mond Mëhallën. Informacionet shtesë tregojnë se Nevzat Spaho ka pasur një jetë të lidhur me tregtinë e drogës, lidhje me grupin e Pogradecit, veprimtari të kundërligjshme dhe ka qenë i dënuar edhe për plagosje brenda burgut të Fierit.
