Strategjia e re e zgjerimit të BE-së: Komisioni Evropian propozon rregulla të reja për vendet kandidate
Komisioni Evropian (KE) do të propozojë kufizimin e disa të drejtave për anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian (BE), si dhe kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar në vend të unanimitetit, në disa fusha, përfshirë edhe zgjerimin. Këto janë elementet kryesore të strategjisë për zgjerimin që KE-ja do ta miratojë dhe publikojë më 7 tetor.
Qëllimi i këtyre dy propozimeve është që pranimi i anëtarëve të rinj të mos e vështirësojë më tej procesin tashmë të komplikuar të vendimmarrjes brenda bllokut evropian. KE-ja do të theksojë se zgjerimi duhet të përgatitet mirë, për përfitim të ndërsjellë.
Nga njëra anë, kandidatët për anëtarësim duhet të jenë të gatshëm dhe të përmbushin kushte të rrepta. Nga ana tjetër, edhe BE-ja duhet të jetë institucionalisht, financiarisht dhe politikisht e gatshme që të mbetet funksionale edhe pas zgjerimit.
Sipas draftit të dokumentit, mekanizmat për anëtarët e ardhshëm do të synonin kufizimin e mundësisë për bllokimin e vendimeve gjatë viteve të para të anëtarësimit. Ndërkohë, shtetet anëtare ekzistuese do të kishin në dispozicion instrumente për të reaguar nëse anëtarët e reja, pas anëtarësimit, devijojnë nga detyrimet e marra përsipër.
Anëtarët e ardhshëm pa të drejtë vetoje
Elementi më i ndjeshëm i draftit lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, që në dokument quhet në mënyrë simbolike “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”. Sipas këtij propozimi, anëtarët e ardhshëm do të zotoheshin të mos kundërshtonin vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet unanimitet. Ky propozim do të zbatohej për çështjet institucionale dhe çështjet që lidhen me zgjerimet e ardhshme.
Në këmbim, institucionet evropiane do të angazhoheshin për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme kur një anëtar i ri t’i referohej interesave thelbësore kombëtare. Marrëveshjet e reja do të përfshiheshin në një deklaratë të përbashkët që do t’i bashkëngjitej Traktatit të Anëtarësimit, e cila do të miratohej para Traktatit.
Klauzolat mbrojtëse
Përveç mekanizmave ekzistues, KE-ja do të propozojë shtimin e dy mekanizmave të rinj, që lidhen me çështjet financiare dhe institucionale.
- Mekanizmi financiar mbrojtës: Do t’i mundësonte KE-së që, për një periudhë të kufizuar pas anëtarësimit, të propozojë masa proporcionale nëse ka prova të qarta ose rrezik serioz se mangësitë në sundimin e ligjit po rrezikojnë menaxhimin financiar të buxhetit të BE-së ose mbrojtjen e interesave të tij financiare.
- Klauzola institucionale: Do të zbatohej në rast të një “shkeljeje veçanërisht të rëndë”, kur Këshilli i BE-së do të mund të miratonte masa të përshtatshme dhe proporcionale, përfshirë pezullimin e përkohshëm të disa të drejtave që rrjedhin nga anëtarësimi.
Komisioni do të paralajmërojë gjithashtu forcimin e masave në rast të përkeqësimit të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore pas përfundimit të negociatave të anëtarësimit.
Ndryshime të propozuara edhe në institucionet e BE-së
Anëtarësimi në BE nuk do të nënkuptojë automatikisht që anëtarët e ardhshëm do të kenë komisionarët e tyre. Sipas propozimit të ri, ky numër do të reduktohet në dy të tretat e numrit të shteteve anëtare, me rotacion rreptësisht të barabartë.
Komisioni mbështet gjithashtu zbatimin më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar, si dhe bashkëpunimin e shtuar të një grupi shtetesh kur nuk ka unanimitet. Propozohet që vendimmarrja me shumicë të cilësuar të zbatohet në hapat ndërmjetës të procesit të zgjerimit, siç janë hapja dhe mbyllja e kapitujve, ndërsa unanimiteti do të vlejë vetëm për vendimin përfundimtar për pranimin e një anëtareje të ardhshme në BE.
