Suedia po përgatitet për një skenar lufte, duke kërkuar tokë për mijëra varre.
Autoritetet suedeze kanë filluar përgatitjet për një mundësi lufte, duke kërkuar sipërfaqe të reja tokë për krijimin e vendeve të varrimit për mijëra persona. Këto masa bëhen pjesë e planeve të emergjencës dhe mbrojtjes civile, në një periudhë kur tensionet gjeopolitike me Rusinë janë shtuar në rajonin e Balltikut.
Në Göteborg, qyteti i dytë më i madh i Suedisë, autoritetet dhe strukturat funerale po kërkojnë një sipërfaqe prej rreth 40,470 metrash katrorë, e cila do të mundësonte varrimin emergjent të rreth 30,000 personave. Për më tepër, nevojiten edhe rreth 60,700 metra katrorë për kapacitetet e zakonshme të varrezave.
Sipas kornizës aktuale të planifikimit të emergjencave, autoritetet duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për të përballuar varrimin e deri në 5% të popullsisë së një famullie, në rast të një situate të jashtëzakonshme. Bashkia e Göteborgut ka identifikuar një zonë që mund të shfrytëzohet për krijimin e një kompleksi të madh varrezash. Megjithatë, realizimi i plotë i projektit mund të zgjasë deri në 10 vjet.
Jan-Olof Olsson, specialist në Agjencinë Suedeze të Emergjencave Civile, deklaroi për Associated Press se përgatitjet janë të nevojshme për shkak të situatës së sigurisë në Evropë. Ai shtoi: “Fatkeqësisht, kjo na kujton gjithnjë e më shumë se sa lehtë mund të shpërthejë lufta dhe se ne thjesht duhet të jemi të përgatitur për të”.
Përgatitjet e Suedisë për një situatë lufte janë shtrirë edhe në fusha të tjera. Suedia dhe Finlanda kanë përditësuar udhëzuesit e tyre të mbrojtjes civile, duke u dhënë qytetarëve informacione dhe udhëzime për mënyrën se si duhet të veprojnë në rast konflikti të armatosur apo emergjencash të mëdha.
Masa të ngjashme për forcimin e gatishmërisë civile janë ndërmarrë edhe nga Danimarka dhe Norvegjia. Vendet nordike kanë shtuar përgatitjet për skenarë të ndryshëm krizash pas ndryshimeve të sigurisë në Evropë dhe anëtarësimit të Suedisë në NATO.
