Bashkimi Europian ka prezantuar një sistem të ri elektronik për kontrollin në kufi, i quajtur EES (Entry/Exit System), i cili hyn në fuqi për shtetasit jashtë komunitetit. Të gjithë udhëtarët që synojnë të hyjnë në BE duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike.
Ky rregullim i ri, i cili ka hyrë në fuqi më 12 tetor 2025, synon të regjistrojë në mënyrë të detajuar digjitale hyrjet dhe daljet nga kufijtë për të gjithë shtetasit jashtë BE-së. Sistemi automatizuar kërkon që udhëtarët të skanojnë pasaportën në kufi, ku gjithashtu do të regjistrohen gjurmët e gishtave dhe një fotografi.
Për shtetasit gjermanë dhe ata të vendeve anëtare të BE-së, procedurat mbeten të pandryshuara. Megjithatë, shtetasit nga vendet jo-anëtare të BE-së, kur hyjnë për herë të parë në hapësirën Shengen (e cila përfshin shumicën e vendeve anëtare të BE-së, si dhe Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin, me përjashtim të Irlandës dhe Qipros), duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre personale.
Në udhëtimet e mëtejshme brenda hapësirës Shengen, do të kërkohet vetëm njohja biometrike e fytyrës. Sistemi EES zëvendëson vulën tradicionale në pasaportë me një aplikim elektronik. Për të përshpejtuar procesin në kufi, disa të dhëna mund të jepen paraprakisht përmes një aplikacioni ose terminaleve me vetëshërbim.
Për pasagjerët që udhëtojnë drejt Britanisë së Madhe, regjistrimi bëhet para largimit nga Britania e Madhe. Ka përjashtime për personat me leje qëndrimi që janë të lidhur drejtpërdrejt me një shtetas të BE-së.
BE synon që përmes këtij sistemi të ri të rrisë sigurinë dhe të parandalojë qarkullimin e kriminelëve. Komisioneri i BE-së për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, deklaroi se EES është “shtylla digjitale bazë e kuadrit tonë të ri të përbashkët europian për migracionin dhe azilin.”
Sistemi EES do të ndihmojë në verifikimin e personave që shkelin afatet e lejuara të qëndrimit, do të luftojë mashtrimet me identitete false dhe do të kufizojë migrimin ilegal. Sistemi do të vendoset gradualisht në funksionim në të 29 shtetet e hapësirës Shengen në gjashtë muajt e ardhshëm. Nga data 10 prill 2026, ky sistem do të duhet të funksionojë në të gjitha pikëkalimet kufitare të jashtme të Europës, duke hequr përfundimisht vulën në pasaportë.
Në Gjermani, pas aeroportit të Dyseldorfit, sistemi EES do të implementohet edhe në aeroportet e Frankfurtit dhe Mynihut, dhe gradualisht në të gjitha aeroportet dhe portet e tjera. Udhëtarët me tren, si ata që udhëtojnë me Eurostar nga Londra drejt Parisit, Brukselit ose Amsterdamit, mund të preken gjithashtu.
Si pjesë e këtij zhvillimi, në tremujorin e parë të vitit 2026, BE-ja planifikon të aplikojë një tarifë shtesë për lejen e udhëtimit për shtetasit e vendeve të treta që nuk kërkojnë vizë. Kjo do të prekë shtetas nga rreth 50 vende, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Serbinë, SHBA-në, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këta shtetas do të duhet të aplikojnë në sistemin ETIAS, ku autoritetet mund të refuzojnë lejen e udhëtimit në rast rezervash sigurie.