Ambasadori i BE-së shprehet pas zgjedhjes së Klodian Brahos
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka uruar Klodian Brahon pas zgjedhjes së tij në krye të SPAK. Zoti Gonzato ndoqi nga afër procesin zhvilluar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). Në një prononcim të shkurtër për mediat, ambasadori i BE theksoi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e drejtësisë.
Gonzato vlerësoi rolin kyç që SPAK ka në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke nënvizuar se mbështetja europiane për këtë mision mbetet e palëkundur. Ai shtoi se përfaqësuesit ndërkombëtarë kërkonin në krye të SPAK një kandidat me nivel të lartë pavarësie dhe integriteti.
Silvio Gonzato deklaroi: “Kemi ardhur këtu për të treguar mbështetjen tonë për KLP-në, por edhe për të shprehur interesin tonë në procedurën e emërimit. SPAK ka një rol thelbësor në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ky është një nga kërkesat kryesore për anëtarësimin në BE. Dje thamë se ajo që kërkojmë është një kryetar që do të vijojë punën e SPAK, dhe ajo që kërkonim ishte një kandidat me nivele pavarësie dhe integritet. Uroj z. Braho dhe mirëpresim bashkëpunimin me të në vijim.”
