Begaj refuzon akuzat e PD për shkarkim

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për herë të parë pas nismës së Partisë Demokratike për shkarkimin e tij nga posti i Kreut të Shtetit.

Në një deklaratë zyrtare, theksohet se pretendimet e bëra publike nga Partia Demokratike nuk janë të vërteta. Presidenti Begaj pret që Parlamenti t’i hetojë këto pretendime me transparencë dhe profesionalizëm.

Presidenti Begaj ka deklaruar se nuk komenton nismat politike të asnjerës palë, pasi kjo nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Ai ka theksuar se ushtron mandatin presidencial pa u ndikuar nga sulme me interesa politike apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.

Duke respektuar institucionet e tjera kushtetuese, Presidenti Begaj thekson se procedura për shkarkimin e tij është një instrument kushtetues i Parlamentit, i cili është i lirë dhe sovran ta ushtrojë kur e gjykon të përligjur.

Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë. Ai pret që Parlamenti të hetojë rreth pretendimeve të Partisë Demokratike me profesionalizëm dhe transparencë të plotë, jo si detyrim ndaj postit të tij, por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut.

Scroll to Top