Belgjika shqyrton burgjet e Kosovës, kritika për të drejtat

Kosova: Belgjika ka shprehur interesim për të përdorur burgjet tona

Në javët e fundit, Kosova është përmendur në planet e Belgjikës sa i përket burgjeve, pasi ky vend i Bashkimit Evropian po shqyrton mundësinë e ndërtimit ose marrjes me qira të një burgu jashtë vendit. Belgjika ka shprehur interesim për të marrë në shfrytëzim institucionet korrektuese në Kosovë, konfirmoi të mërkurën për Radion Evropa Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK).

Në një përgjigje me shkrim për REL-in, SHKK tha se, pas marrëveshjes së Kosovës me Danimarkën për dhënien në shfrytëzim të Burgut të Gjilanit për të strehuar të burgosur danezë, “disa shtete të tjera, përfshirë edhe Belgjikën, kanë shprehur në forma të ndryshme interesim për marrjen në shfrytëzim të institucioneve korrektuese të Kosovës”. Megjithatë, ky institucion nuk ka sqaruar formën se si është shprehur ky interesim, duke theksuar se “nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare lidhur me këtë çështje”.

SHKK-ja gjithashtu nënvizoi se nuk ka kompetencë për trajtimin e kërkesave në nivel ndërkombëtar që lidhen me dhënien në shfrytëzim të institucioneve korrektuese.

Dy zyrtare belge vizituan Kosovën në fillim të tetorit, duke shtuar zërat për mundësinë e diskutimit të një marrëveshjeje për burgjet. Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, qëndruan në Kosovë më 6 tetor, ku u takuan me presidenten Vjosa Osmani dhe me ushtruesin e detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu. Asnjëra nga këto institucione nuk iu përgjigj REL-it në atë kohë në pyetjen nëse ishte bërë një kërkesë e tillë nga zyrtaret belge. Madje, as në njoftimet zyrtare për media nga këto institucione nuk ishte përmendur që gjatë takimeve ishte folur për ndërtimin apo marrjen me qira të ndonjë burgu.

Megjithatë, REL-i kishte mësuar se kjo çështje ishte përmendur shkurtimisht nga zyrtaret belge, “pa u hapur ndonjë diskutim i hollësishëm nga pala kosovare”.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë kanë kritikuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të tillë. Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), plani i përfolur i Belgjikës për të dërguar të burgosur në Kosovë, paraqet rrezik për sigurinë dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Në vitet e fundit, Kosova ka shprehur gatishmëri për të strehuar të burgosur të huaj, emigrantë nga vendet e treta, apo edhe azilkërkues të refuzuar, pavarësisht kritikave.

Të martën, kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha në Londër se Kosova është e gatshme të strehojë azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, në këmbim të mbështetjes në fushën e sigurisë. Së fundmi, ajo u pajtua t’i strehojë 50 migrantë nga shtete të treta që qëndronin në SHBA.

Në një marrëveshje të ngjashme që kishte nxitur gjithashtu kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan, për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit. Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, që do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtërishme. Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të transferohen në burgun në Gjilan në pjesën e parë të vitit 2027./REL

Scroll to Top