Belinda Balluku nën hetim, Bardhi kritikon qeverinë Rama

Bardhi: Balluku nën hetim nga SPAK, por vijon të jetë numri 2 i qeverisë, krah Ramës

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka deklaruar se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vijon të mbetet numri 2 i qeverisë Rama edhe pse është zyrtarisht person nën hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Në vijim të Takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Europian, ku po zhvillohen punimet e Sesionit të II-të, Bardhi ka kujtuar edhe takimet në Aruba dhe lidhjet e krimit me mazhorancën në pushtet.

“Në 23 shtator një investigim i mediave italiane përshkroi takime të fshehta në ishullin Aruba ku, sipas dokumenteve të antimafias italiane, kanë marrë pjesë biznesmenë, eksponentë të krimit dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare. Është folur në lidhje me ndërtimin e kullave në Tiranë dhe ndërtime strategjike. Në qendër të lidhjes së krimit të organizuar me qeverinë ishte Artur Shehu. Në vitin 2022, vetëm 2 vite pas takimit në Aruba, rezulton se në Shqipëri kompania e tij ka marrë me firmën e Ramës disa leje ndërtimi në Vlorë. Sot qeveria shqiptare ka numrin 2 të saj, zv.kryeministrja Belinda Balluku, një person nën hetim për miliona euro shkelje të barazisë në tendera. Edhe pse është nën hetim, vijon të jetë në krahë të Ramës dhe numri 2 i qeverisë”, tha ai.

Scroll to Top