Belinda Balluku, pasi mori vendimin e gjykatës për pezullim nga detyra dhe heqje të pasaportës, u paraqit menjëherë në zyrën e Kryeministrit Edi Rama.
Balluku mbërriti në Kryeministri rreth orës 12:24 dhe që atëherë vazhdon të jetë aty, duke pritur për më shumë se katër orë.
Situata ka nxitur spekulime të shumta, ndërsa vlerësohet se zyrtarja po kërkon mbështetje përpara një deklarate publike.
Kryeministri Rama nuk ka dhënë ende asnjë koment mbi masën e marrë nga Gjykata e Posaçme, e cila ka urdhëruar shkarkimin e zv/kryeministres. Në vend të një reagimi zyrtar, Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi festive për Ditën e Alfabetit, duke sugjeruar prioritete të tjera.
Disa orë më parë, në hyrje të Kryeministrisë është parë Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve. Kjo lëvizje sugjeron se po shqyrtohet një zgjidhje ligjore për situatën.
Pamja e jashtme tregon se Kryeministri ndodhet në një situatë delikate, pasi nuk është e lehtë të nxirret nga zyra Belinda Balluku, e cila duket se nuk synon të largohet e vetme nga pushteti.
