Berisha: Rama i tmerruar nga SMS-të e Belindës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e ish-ministres Belinda Balluku. Berisha akuzoi Ramën se është i frikësuar nga hetimet në lidhje me tunelin e Llogarasë, të cilin ai e cilësoi “tuneli i Palloshit”.
Sipas Berishës, Rama ndjen rrezikun dhe kjo duket nga deklaratat e tij drejtuar drejtësisë.
“Edi Rama është i tmerruar nga Belinda Balluku dhe SMS-të që i ka dërguar Ervis Berberi për tunelin e gjatë të Palloshit,” shkroi Berisha në rrjetet sociale.
Ai shtoi se Rama, pasi u betua për respektimin e drejtësisë, paralajmëroi se “sa të jem unë këtu, nuk do të shihni luftëra me drejtësinë apo akuza”. Berisha interpretoi këtë deklaratë si një sinjal se Rama do ta përdorë Ballukun si “kurban” për të shmangur hetimet ndaj vetes.
“Me fjalë të tjera Rama i thotë: ‘Belindën kurban, por më harroni mua sepse unë jam Kushtetuta dhe mjerë kush e kalon kufirin’,” vijoi Berisha, duke shtuar se “Edvin asgjë në botë nuk të shpëton nga krimet tua të rënda.”
