Imuniteti i Ballukut, Berisha: Rama s’e dorëzon sepse është i frikësuar
Kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se mbështet çdo prokuror dhe gjykatës që respekton ligjin. Gjithashtu, Berisha u ndal edhe te imuniteti i ministres Belinda Balluku, duke deklaruar se Rama nuk e dorëzon atë sepse është i frikësuar për fatin e tij.
Në një pjesë nga fjala e tij, Berisha tha:
“Edi Rama, siç e thatë ju vetë, narrativën e tij e bazoi fund e krye mbi manipulimin dhe mashtrimin. Ai mori një video të regjistruar nga tashmë i ndjeri Dritan Prifti, teksa bisedonte me ish-zv/kryeministrin Ilir Meta, ku ky i fundit i thoshte se kompania e Ymer Toles i shkruante atij se dëmi i krijuar nga moszbatimi i vendimit të gjykatës nga ministri Prifti, për ndërmarrjen e tij, ishte 700 mijë euro. Dhe këtë shifër prej 700 mijë eurosh, Edi Rama me Filip Çakullin e manipuluan, prenë dhe ngjitën regjistrimin dhe e paraqitën sikur ai fliste për një rryfshet që nuk ndodhi kurrë.
Kurse sot, 700 mijë euro janë mijëra herë më shumë të vjedhura, të dokumentuara me dokumente zyrtare, me firma, me vula, nga Edi Rama, ministrat e tij, familjarët e tij.
Mbi të gjitha, zgjedhjet e vitit 2009, sipas OSBE-ODIHR, ishin zgjedhjet që plotësuan kriteret kryesore të OSBE-ODIHR për zgjedhje të drejta. Ishin zgjedhje të cilat i dhanë shqiptarëve qeveri legjitime. Kurse zgjedhjet e 11 majit 2025 ishin një farsë e vërtetë elektorale.
Të gjitha këto përbëjnë motive ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare që opozita shqiptare të mobilizohet me gjithë forcën për rrëzimin dhe largimin e këtij pushteti, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.”
