Foltorja/ Berisha: Arrestimi i Maduros shkaktoi tmerr dhe terror te Rama (Arsyet)
Nga para kryeministrisë, ku po mbahet Foltorja e radhës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, Sali Berisha u shpreh se operacioni i ndërmarrë nga SHBA në Venezuelë, kundër regjimit të Maduros, shkaktoi tmerr dhe terror te Edi Rama.
“Viti 2026 ngjan shumë në histori me vitin e rrëzimit të diktaturave komuniste njëra pas tjetrës. Sot diktaturat më të përhapura janë narkodiktaturat dhe autokracitë elektorale. Lavdi Zotit, ushtria amerikane dhe qeveria e SHBA, në një operacion të përsosur në histori, arrestuan dhe nxorrën sot para gjyqit Maduron e Venezuelës. Mediat e kontrolluara nga qeveria, nga mëngjesi në darkë, bien borive se u shkel sovraniteti dhe u shkel ligji ndërkombëtar. Dhunuesit më të mëdhenj të ligjit ndërkombëtar janë diktaturat. Nuk ka sovranitet vendi në të cilin zgjedhjet zëvendësohen me farsë elektorale. Narkodiktatori që shndërron zgjedhjet në farsë dhe asgjëson sovranitetin e kombit nuk meriton të qëndrojë në pushtet. Trump gjer sot ka përsëritur se këtij Maduroje do t’i vijnë të tjerë pas teje. Dhe i ka dërguar mesazhe. E vërteta është se ky akt solli ngricë të madhe, tmerr dhe terror në Surrel. Edi Rama ngriu,” u shpreh Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike edhe arsyetoi pse sipas tij Rama u tmerrua nga arrestimi i Maduros.
“Ai kyçi dje podcastin e tij ‘Mashtrojmë’. Publikoi një artikull me emrin e dy mashtruesve ordinerë të tij, Endri Kajsiu, në të cilin thoshte: mos kujtoni se jam Maduro, se Shqipëria nuk ka naftë si Venezuela. Ky është Ramaduro, se njëlloj si Maduro, ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale. Mandatet e tij qëndrojnë mbi krimin, ka marrë mandatet e opozitës,” tha Berisha.
