Berisha: Fundi juaj do të vijë nga ky shesh
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hapur protestën e zhvilluar këtë të hënë përpara Kryeministrisë, duke qenë folësi i parë i radhës. Berisha nisi fjalimin e tij duke përshëndetur të pranishmit dhe duke prezantuar platformën “parlamentaro-qytetare”. Ai gjithashtu theksoi se kjo javë ka dëshmuar shkatërrimin e qeverisë, duke shtuar se largimi i tyre nga pushteti mbetet në dorën e qytetarëve.
“Edvin, nga ky shesh do të vijë fundi yt,” deklaroi Berisha mes ovacioneve të protestuesve.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës, të pranishëm sonte në këtë foltore parlamentare qytetare dhe kudo që jeni. Të dashur demokratë dhe demokrate, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës. Miqtë e mi. Liria është si një lumë, të cilin me asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthyesh. Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal. Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit. Para pallatit të krimit shtetëror, ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare. Para pallatit që në një krim monstruoz ndaj shqiptarëve i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Lubinë, të cilët me vjedhjet, plaçkitjet e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit.
Përpjekjet e opozitës për zgjedhje dhe rotacion të pushteti u përballën me tonelata e eurove të drogës, u përballën me ushtrinë terroriste të patronazhistëve, terroristëve të votës. U përballëm me të gjithë burimet financiare, njerëzore, logjistike të gjithanshme të shtetit mafioz, të narkoshtetit, vetëm e vetëm për rotacionin, largimin nga pushteti. Po të ndalimi vetë këtë javë, nuk ka javë që paraqet më qartë fytyrën e urryer të narkoshtetit shqiptar. Gjatë kësaj jave, skandalet më të mëdha, kjo javë faktoi se kjo ngrehinë e kalbur po shkatërrohet, po shkërmoqet dhe nuk pret asgjë tjetër veçse vrullin tonë për të fshirë nga historia. Po këtë javë, në vendin më të sigurt të supozuar, masakra ku bandat e qeverisë likuidojnë bandat e tjera të qeverisë, por ajo që kulmoi në qëndrimet e narkoshtetit ishte mbyllja defakto e narkoparlamentit,” tha Berisha.
